Ish-deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Ervin Salianji, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë dhe ndryshimet e paralajmëruara në statut pas mbledhjes së Kryesisë.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Salianji theksoi se opozita nuk duhet të ndjekë të njëjtin model që kritikon te qeveria, pasi sipas tij kjo rrezikon të dëmtojë besimin e qytetarëve tek alternativa politike.
Ai u shpreh se ndryshimet e njëanshme në rregullat dhe statutin e partisë përbëjnë uzurpim dhe cenojnë besimin e demokratëve, duke theksuar se neni 46 i statutit është i qartë dhe nuk mund të anashkalohet për interesa të momentit.
“Nuk ka shërbim më të madh për Edi Rama sesa të sillesh dhe të veprosh njësoj si ai. Opozita nuk mund të bjerë në të njëjtin kurth me ndryshim rregullash dhe sulm ndaj ndërkombëtarëve,” shkruan Salianji.
Ai shton se Partia Demokratike nuk mund të hapë rrugë për ndryshime të njëanshme në “kushtetutën e partisë” dhe në statut, duke theksuar se çdo veprim që imiton modelin e qeverisë nuk është zgjidhje, por uzurpim.
Sipas tij, veprime të tilla do t’i bënin përgjegjës autorët përpara demokratëve dhe opinionit publik.
“Sot po shohim të njëjtën logjikë që kemi denoncuar tek qeveria: uzurpim të rregullave, shkatërrim të degëve, përjashtim të demokratëve, sikur Partia Demokratike të ishte pronë private e disa individëve dhe jo një parti e ndërtuar mbi vullnetin e demokratëve,” theksoi Salianji.
Ai paralajmëroi se nëse opozita fillon të sillet si pushteti që kritikon, atëherë dëmton jo vetëm veten, por edhe besimin e qytetarëve tek alternativa politike.
