Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhje në Republikën e Kongos, pritet një tjetër mandat për presidentin aktual



Qytetarët në Republikën e Kongos po votojnë këtë të diel për të zgjedhur presidentin e ri, ndërsa kreu aktual i shtetit, Denis Sassou Nguesso, pritet të sigurojë një tjetër mandat pas më shumë se katër dekadash në pushtet në vendin e pasur me naftë të Afrikës Qendrore, përcjell DW.

Rreth tre milionë votues nga një popullsi prej 5.7 milionë banorësh janë të regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje. Sassou Nguesso përballet me gjashtë kandidatë të tjerë, por asnjëri prej tyre nuk shihet si rival real për postin më të lartë të shtetit.

Dy parti të mëdha opozitare kanë bojkotuar zgjedhjet, duke pretenduar se procesi elektoral është i padrejtë.

Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 sipas kohës lokale dhe pritet të mbyllen në orën 18:00. Vëzhguesit paralajmërojnë se pjesëmarrja në votime mund të jetë një nga më të ulëtat ndonjëherë.

Më shumë se gjysma e popullsisë së vendit jeton nën kufirin e varfërisë, megjithëse Republika e Kongos zotëron një nga rezervat më të mëdha të naftës në Afrikën në jug të Saharasë. Hidrokarburet përbëjnë më shumë se tre të katërtat e të ardhurave nga eksportet.

Kritikët e qeverisë thonë se zhvillimi ekonomik është penguar nga korrupsioni dhe përqendrimi i të ardhurave nga nafta tek zyrtarë të lartë.

Sipas Bankës Botërore, borxhi ndërkombëtar i vendit arrin në rreth 94.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa papunësia mes të rinjve vazhdon të rritet.

Denis Sassou Nguesso drejtoi për herë të parë vendin në vitin 1979 në një sistem njëpartiak. Ai humbi zgjedhjet e para pluraliste në vitin 1992, por u rikthye në pushtet në vitin 1997 pas një lufte civile katërmujore.

Ai është rizgjedhur president në vitet 2002, 2009, 2016 dhe 2021, në procese që opozita i ka cilësuar si jo demokratike dhe pa transparencë.

Një referendum kushtetues në vitin 2015 hoqi kufizimet për moshën dhe mandatet presidenciale, duke i hapur rrugën për të kandiduar sërish.

Aktualisht, Sassou Nguesso është presidenti i tretë më jetëgjatë në Afrikë, pas Paul Biya të Kamerun dhe Teodoro Obiang Nguema Mbasogo të Guineas Ekuatoriale.