Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu hedh poshtë teoritë në rrjet: Nuk jam i vdekur, doni t’i numëroni gishtat?



Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, publikoi të dielën një video ku hodhi poshtë teoritë konspirative që qarkulluan në rrjetet sociale, sipas të cilave ai kishte vdekur ose se në një konferencë për shtyp dora e tij dukej sikur kishte gjashtë gishta.

Pretendimet u përhapën pasi pamjet nga konferenca e javës së kaluar bënë që disa përdorues të internetit të aludonin për një anomali në dorën e tij.

Në videon e publikuar, Netanyahu shihet i ulur në një kafene, ndërsa një person pas kamerës i thotë: “Kryeministër, në internet po thonë se në fakt ju keni vdekur.”

Netanyahu iu përgjigj me humor: “Po vdes për një kafe. Po vdes për popullin tim.” Më pas ai ngriti të dyja duart drejt kamerës dhe tha: “Doni t’i numëroni gishtat?”

Në video ai iu drejtua edhe qytetarëve lidhur me situatën e sigurisë. Kryeministri u bëri thirrje njerëzve të dalin për pak ajër të pastër, por të qëndrojnë pranë strehimeve mbrojtëse ose dhomave të fortifikuara që përdoren gjatë sulmeve me raketa, përcjell YNet.

Ai vlerësoi qëndrueshmërinë e publikut, duke thënë se kjo i jep forcë qeverisë, ushtrisë izraelite, Israel Defense Forces dhe shërbimit sekret Mossad.

Netanyahu shtoi se operacionet kundër Iranit dhe në Liban po vazhdojnë. “Po bëjmë gjëra që nuk mund t’i ndaj tani publikisht. Por po e godasim Iranin shumë fort, edhe sot, dhe gjithashtu në Liban. Do të vazhdojmë,” u shpreh ai.