
Uruguai do të vazhdojë procesin e reduktimit të borxhit në dollarë amerikanë dhe do të thellojë zhvendosjen drejt financimit në monedhën vendase, ndërsa synon të forcojë rritjen ekonomike dhe të zgjerojë lidhjet tregtare. Këtë e deklaroi ministri i financave Gabriel Oddone në një intervistë për Reuters.
Sipas tij, strategjia e qeverisë për de-dollarizim mbështetet nga kërkesa e fortë e investitorëve, disa prej të cilëve e konsiderojnë peson uruguaiane më të qëndrueshme sesa dollari, në një kohë kur monedha amerikane po dobësohet dhe tensionet gjeopolitike po rrisin pasiguritë në tregjet globale.
“Po ecim përpara me procesin e de-dollarizimit,” tha Oddone, duke shtuar se objektivi është që në një të ardhme të afërt rreth gjysma e borxhit të emetohet në monedhë vendase.
Në fillim të viteve 2000, rreth 90% e borxhit të Uruguait ishte në dollarë amerikanë, për shkak të kërkesës së kufizuar për obligacione në pesos dhe kostove më të ulëta të huamarrjes në USD. Sot, kalimi drejt borxhit në pesos synon të mbrojë financat publike nga luhatjet e kursit të këmbimit.
Edhe pse financimi në pesos është më i kushtueshëm, ministri theksoi se kjo është pjesë e një strategjie për diversifikimin e rreziqeve dhe për të qenë më të përgatitur ndaj goditjeve të jashtme. Shlyerja e borxhit në të njëjtën monedhë me të ardhurat tatimore e bën menaxhimin fiskal më të parashikueshëm.
Vitin e kaluar, Uruguai emetoi 40% të borxhit të tij ndërkombëtar në pesos — niveli më i lartë i arritur ndonjëherë. Për këtë vit, vendi synon të sigurojë rreth 6 miliardë dollarë financim, kryesisht përmes tregjeve të obligacioneve.
Në vitin 2027, qeveria planifikon gjithashtu të emetojë një tjetër “bond të gjelbër”, pavarësisht tërheqjes së disa investitorëve nga instrumentet e lidhura me objektiva mjedisore, veçanërisht në SHBA. Sipas Oddone, në Evropë interesimi për këto instrumente mbetet i lartë.
Rritja ekonomike e vendit u vlerësua në 2.5% vitin e kaluar, ndërsa inflacioni ka rënë. Megjithatë, analistët i kanë bërë thirrje qeverisë të adresojë deficitin buxhetor, i cili në fund të vitit 2025 arriti pak mbi 4% të PBB-së. Qeveria pret që ai të bjerë nën 4% në vitin 2026 dhe të ulet më tej në 2027, pjesërisht falë një marrëveshjeje tatimore të harmonizuar me OECD-në.
Oddone theksoi se qeveria po punon për të nxitur rritjen përmes ndryshimeve në sistemin tatimor, stimujve fiskalë dhe riorganizimit të sektorëve kyç për tërheqjen e investimeve, shkruan Reuters.
Sa i përket tregtisë, Uruguai synon të mbetet aktiv brenda bllokut rajonal Mercosur, por njëkohësisht të forcojë lidhjet me ekonominë globale. Blloku së fundmi nënshkroi një marrëveshje të madhe tregtare me Bashkimin Evropian dhe po zhvillon negociata me Kinën dhe Kanadanë.
“Duhet të jemi pjesë e Mercosur-it, por edhe më të lidhur me ekonominë botërore,” përfundoi ai.