
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke rikthyer në fuqi kërkesën e SPAK-ut. Reagimi u bë gjatë podcastit të tij “Flasim”, ku Rama e cilësoi vendimin si një precedent të rrezikshëm dhe të paprecedent në vendet demokratike.
Sipas kryeministrit, Gjykata Kushtetuese “nuk e gjeti forcën” për të mos lejuar atë që ai e quajti “rimarrje peng të qeverisë”, përmes një mekanizmi të panjohur në demokracitë perëndimore, siç është pezullimi i një anëtari të qeverisë nga prokuroria dhe gjykata në një seancë paraprake, pa nisur ende gjykimi.
Rama deklaroi se Shqipëria po shndërrohet në “shembullin e parë të një budallallëku botëror”, ndërsa kritikoi arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilin e cilësoi të paqartë dhe të pajustifikuar. Ai theksoi se Balluku nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që ka kërkuar pezullimin e saj, dhe se masa është marrë në një seancë të mbyllur, në fazën përgatitore të procesit gjyqësor.
Sipas tij, kjo praktikë përfaqëson një “shpikje Made in Albania” të një drejtësie ende të papjekur dhe përbën rrezik për parimet themelore të demokracisë, duke cenuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe të Parlamentit nga pushteti gjyqësor.
“Ne do ta vazhdojmë këtë betejë ku na ka thirrur, pa dëshirën tonë, kjo çarje antidemokratike e pezullimit të një anëtari të qeverisë”, u shpreh Rama, duke shtuar se mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e mban të hapur konfliktin institucional. Ai paralajmëroi se, sipas këtij precedenti, edhe Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga një prokuror në mënyrë arbitrare.
Në fund të reagimit, kryeministri u shpreh se ata që besojnë se lufta për drejtësi dhe shtet ligjor do të prodhojë kosto politike për mazhorancën qeverisëse gabojnë. Sipas Ramës, përpjekja për shtetin ligjor dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian ka ende sot një garant të vetëm: atë vetë dhe shumicën që ai drejton.