Vendosni fjalën kyçe....

Salianji reagon për bllokimin e aksit Librazhd–Përrenjas: Pasqyrë e keqqeverisjes dhe korrupsionit



Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër për situatën e krijuar në aksin rrugor Librazhd–Përrenjas, i cili u bllokua për orë të tëra, duke izoluar juglindjen e vendit.

Në një postim në rrjetet sociale, Salianji e cilëson këtë situatë si një pasqyrë të qartë të keqqeverisjes, duke theksuar se bllokimi nuk erdhi si pasojë e një fatkeqësie të jashtëzakonshme, por për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, neglizhencës dhe korrupsionit.

Sipas tij, qytetarët, ambulancat dhe bizneset u vunë në vështirësi serioze, ndërsa shteti dështoi të garantojë sigurinë dhe funksionimin normal të një aksi kombëtar.

Postimi i plotë i Ervin Salianjit:

“Është e turpshme që në vitin 2026 një aks kombëtar si Librazhd – Përrenjas të bllokohet totalisht për orë të tëra.
Jo nga ndonjë fatkeqësi e jashtëzakonshme.
Por nga mungesa e mirëmbajtjes.
Nga neglizhenca.
Nga korrupsioni.
Për më shumë se dy orë, e gjithë juglindja u la e izoluar, sikur të mos ishte pjesë e këtij vendi.
Qytetarë të bllokuar në rrugë.
Ambulanca në pritje.
Biznese të paralizuara.
Familje të rrezikuara.
Kjo është pasqyra reale e keqqeverisjes.
Kur fondet vidhen dhe propaganda bëhet prioritet, rrugët shemben dhe shteti zhduket.
Shteti nuk matet me fasada e postime.
Matet me rrugë që funksionojnë.
Me siguri.
Me përgjegjësi.
Shqiptarët nuk meritojnë izolim.
Meritojnë një qeveri që punon.”