
Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi të shtunën se ish-princi Andrew duhet të dëshmojë para një komiteti të Kongresit të SHBA-së, pas publikimit të dokumenteve të reja që hedhin dritë mbi lidhjet e tij me financierin dhe të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Dokumentet, të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, përfshijnë email-e që tregojnë se vëllai i mbretit Charles ka mbajtur kontakte të rregullta me Epstein për më shumë se dy vite, edhe pas dënimit të këtij të fundit për krime seksuale ndaj të miturve. Në dosje përfshihen edhe fotografi të redaktuara, ku Andrew shihet duke prekur belin e një gruaje të paidentifikuar, e shtrirë në dysheme, përcjell Reuters.
Pas zbulimeve të mëparshme mbi këto lidhje, Mbreti Charles i hoqi Andrew-it titullin e princit dhe e largoi nga rezidenca e tij në ambientet e Kështjellës Windsor, në nëntor.
Ish-princi, 65 vjeç, i cili tani përdor emrin Andrew Mountbatten-Windsor, ka mohuar çdo përfshirje në shkelje ligjore dhe ka deklaruar më herët se nuk ka mbajtur marrëdhënie me Epstein pas dënimit të vitit 2008, përveç një vizite në Nju Jork në vitin 2010 për t’i dhënë fund kontaktit mes tyre.
Duke folur për gazetarët gjatë një udhëtimi zyrtar drejt Japonisë, Starmer theksoi se çdo person që ka informacion lidhur me Epstein duhet të bashkëpunojë me autoritetet për hir të viktimave.
“Çdo njeri që ka informacion duhet të jetë i gatshëm ta ndajë atë, në çfarëdo forme që i kërkohet. Nuk mund të pretendosh se je në anën e viktimave, nëse nuk je i gatshëm të bësh këtë,” u shpreh Starmer.
Ndërkohë, ish-princi Andrew nuk ka reaguar ndaj kërkesave për koment, ndërsa Pallati Buckingham ka refuzuar të japë deklarata.
Jeffrey Epstein vdiq në vitin 2019 në një burg në Nju Jork, ndërsa priste gjykimin për trafikim seksual. Ai ishte dënuar më herët, në vitin 2008, për shfrytëzim seksual të një të miture.