Vendosni fjalën kyçe....

Bashkëpunimi ekonomik Shqipëri-Greqi, Begaj: Kemi një rritje të vazhdueshme të eksporteve reciproke


Presidenti, Bajram Begaj, mori pjesë sot në takimin e Shoqatës së Biznesit Grek në Shqipëri me rastin e “Ditës së Vasilopitës”.

Në këtë takim me sipërmarrësit grekë në Tiranë, Begaj u shpreh për një dinamikë të re të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Greqisë përmes nxitjes së projekteve të përbashkëta.

“Unë mendoj se ka mundësi për më shumë dhe ka ende hapësira të mëdha për të rritur investimet e ndërsjella”, – theksoi ai ndërsa garantoi se “Shqipëria ofron një terren solid për çdo investitor”.

Presidenti renditi lehtësitë që ofron Shqipëria, me theks në ekonominë dinamike, monedhën e qëndrueshme, sektorë të shëndetshëm bankar dhe borxh publik që po menaxhohet me kujdes.

Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e kompanive elitare që operojnë në sektorët më strategjikë të vendit tonë, teksa nënvizoi se prania e investitorëve grekë në fusha, si: sistemi bankar, energjia, industria, ndërtimi dhe tregtia, përbën një shtyllë të rëndësishme për qëndrueshmërinë tonë ekonomike dhe dëshmon për besimin e ndërsjellë të ndërtuar ndër vite.

“Mbështetja e Greqisë mike në procesin tonë të integrimit është dëshmi e një miqësie të sinqertë, e cila po përkthehet në një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë ekonomik”, – theksoi Presidenti.

“Në fushën e tregtisë, zhvillimet janë inkurajuese. Greqia vijon të mbetet një nga partnerët tanë kryesorë, duke u renditur në radhët e para të shkëmbimeve të mallrave dhe shërbimeve. Kemi një rritje të vazhdueshme të eksporteve reciproke, çka tregon se tregjet tona po bëhen gjithnjë e më plotësuese për njëri-tjetrin”, shtoi ai.