
Koordinatori i Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Prizren dhe katër kryesues të komisioneve zgjedhore janë ndaluar për 48 orë, në kuadër të zgjerimit të hetimeve lidhur me dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë në Prizren.
Prokuroria Themelore në Prizren njoftoi se në grupin e dytë të të dyshuarve lidhur me manipulimet e votave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit, gjatë së enjtes ka intervistuar 28 persona të dyshuar dhe gjashtë dëshmitarë.
“Pesë prej tyre pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë. Katër prej tyre, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’ dhe një person në cilësinë e koordinatorit të KKZ-së në Komunën e Prizrenit,për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Ajo tha se brenda afateve ligjore do të vlerësojë parashtrimin e kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurve.
Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.
Më herët gjatë ditës, kjo prokurori kishte njoftuar se po merrte në pyetje të dyshuarit, duke thënë se ata dyshohen për vepra penale si, shkelja e të drejtave të votimit, korrupsioni zyrtar, si dhe shkelja e detyrës zyrtare.
Ky është operacioni i dytë që autoritetet për zbatim të ligjit e ndërmarrin në Prizren – vendin ku dyshohet se ka pasur më së shumti manipulim votash – pasi javën e kaluar i ndaluan mbi 100 të dyshuar.
Nga mbi 100 të ndaluar në atë aksion, 22 komisionerë dhe një vëzhgues u dërguan në paraburgim për një muaj.
Dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit kanë hedhur dyshime serioze mbi procesin zgjedhor, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta bëjë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.
Komisioni bëri të ditur ditë më parë se pret ta përfundojë rinumërimin në fundjavë, pasi tashmë janë rinumëruar rreth 90 për qind e votave.
Rinumërimi në Prizren ka përfunduar tashmë dhe ai tregon një dallim në votat për kandidatët për deputetë para dhe pas rinumërimit.
Të paktën katër kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës u janë hequr nga mbi 2.000 votat secilit në këtë komunë, përfshirë njërit mbi 6.000, pasi komisioni vërtetoi në rinumërim se atyre u ishin shtuar votat e paqena.
Edhe kandidatëve nga partitë e tjera si ajo në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u janë hequr vota pas rinumërimit në këtë komunë, por në numër diçka më të vogël.
Në këtë video shpjegojmë se si u manipuluan votat e kandidatëve për deputetë
Operacioni i ri në Prizren vjen po ashtu një ditë pasi 15 kryesues zgjedhorë u ndaluan për 48 orë gjatë një aksioni të ngjashëm në Malishevë. Në shënjestër të aksionit në këtë komunë në pjesën qendrore të Kosovës ishin 18 kryesues dhe 50 komisionerë që kishin marrë pjesë në numërim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit.
Ndërkohë, përveç Prizrenit dhe Malishevës, autoritetet janë duke kryer hetime edhe në Ferizaj, Pejë e Drenas.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurtit i fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit duke marrë mbi 51 për qind të votave.
Rinumërimi nuk pritet të ndikojë në rezultatin e partive dhe Kurti mund ta formojë qeverinë e re pas certifikimit të rezultateve përafërsisht në fillim të shkurtit.
Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.
Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba./REL