
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duhet të kërkojë ndjesë për pretendimin se aleatët e Uashingtonit në NATO kanë shmangur luftimet në vijën e parë në Afganistan, deklaroi ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Gjatë një interviste për Fox News në Davos të Zvicrës javën e kaluar, Trump u shpreh se SHBA-ja “nuk ka pasur kurrë nevojë” për ndihmë dhe se aleatët e saj në NATO kishin “qëndruar disi mbrapa, disi larg vijave të frontit” gjatë luftës së udhëhequr nga Amerika në Afganistan.
Duke reaguar ndaj këtyre komenteve në transmetuesin publik gjerman ARD të dielën, Pistorius tha: “Kjo thjesht nuk është e saktë dhe përbën mungesë respekti të flitet në këtë mënyrë për të rënët e aleatëve. Të gjithë ata qëndruan aty, krah për krah me Shtetet e Bashkuara. Të pretendosh sot diçka tjetër është thjesht e pavërtetë.”
Shtetet anëtare të NATO-s iu bashkuan pushtimit të Afganistanit në vitin 2001, pasi SHBA-ja aktivizoi Nenin 5, klauzolën e mbrojtjes kolektive të aleancës, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Konflikti zgjati pothuajse 20 vjet, ndërsa trupat e fundit të huaja u tërhoqën në vitin 2021.
Pistorius bëri të ditur se do ta ngrinte këtë çështje në takimet e ardhshme me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke theksuar se një ndjesë nga Trump do të ishte “një shenjë mirësjelljeje, respekti dhe gjithashtu mirëkuptimi”.
Gjermania dërgoi rreth 5,000 ushtarë në Afganistan dhe 59 prej tyre humbën jetën gjatë konfliktit, shkruan Rt.
Deklaratat e ministrit gjerman të mbrojtjes pasqyrojnë kritikat e liderëve të tjerë evropianë, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer, i cili akuzoi Trump-in se po nënvlerëson kontributin e trupave britanike dhe i cilësoi komentet e presidentit amerikan si “sinqerisht tronditëse”.
Mbretëria e Bashkuar kishte kontingjentin e dytë më të madh perëndimor në Afganistan, me numrin e trupave që arriti kulmin në rreth 11,000 në vitin 2011, sipas BBC-së, ndërsa gjithsej 457 britanikë humbën jetën gjatë konfliktit.
Trump përdori një ton më pajtues të shtunën, duke pranuar rolin e trupave britanike. Edhe aleatë të tjerë të NATO-s reaguan me zemërim ndaj deklaratave të presidentit amerikan. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i quajti komentet “të papranueshme”, duke theksuar se roli i NATO-s përfaqësonte një “akt të jashtëzakonshëm solidariteti ndaj Shteteve të Bashkuara”.