Vendosni fjalën kyçe....

Shtatë viktima nga rrëzimi i një avioni në SHBA


Shtatë persona humbën jetën dhe një tjetër u plagos rëndë të dielën, pasi një avion privat u rrëzua gjatë ngritjes nga një aeroport në Bangor, në shtetin e Maine, bëri të ditur të hënën Administrata Federale e Aviacionit (FAA).

Sipas FAA-së, rrëzimi i avionit me dy motorë, tip “Bombardier Challenger 600”, në Aeroportin Ndërkombëtar të Bangorit ndodhi rreth orës 19:45. Hetimet për aksidentin po kryhen nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB). Ngjarja ndodhi në kushte moti me dëborë dhe me shikueshmëri të kufizuar.

Kompania “Bombardier” bëri të ditur se i ka referuar të gjitha pyetjet lidhur me ngjarjen NTSB-së. Aeroporti i Bangorit mbeti i mbyllur të hënën në mëngjes.

Një zyrtar qeveritar deklaroi se avioni kishte mbërritur në Maine nga Teksasi. Kompania e regjistruar si pronare e avionit rezulton të ndajë të njëjtën adresë në Houston me firmën ligjore “Arnold & Itkin”, e specializuar në çështje të lëndimeve personale. Sipas të dhënave të FAA-së, avioni kishte hyrë në shërbim në prill të vitit 2020, shkruan Reuters.