
Në kuadër të vizitës në Izrael, Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim në Knesset, ku u ndal te situata në Gaza, roli i Hamasit dhe domosdoshmëria e çarmatosjes së tij si kusht për një paqe të qëndrueshme, duke sjellë edhe një krahasim simbolik me të kaluarën e Shqipërisë.
Rama theksoi se shpesh Gaza përshkruhet si një “burg në qiell të hapur”, por sipas tij, shumë media kanë dështuar të identifikojnë qartë përgjegjësin kryesor për gjendjen atje.
“Më ka ardhur keq që shumë media e kanë përshkruar Gazën si burg në qiell të hapur, por kanë dështuar të sjellin në vëmendje kush është xhelati atje. Fajtori është Hamasi dhe askush tjetër,” u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se pa çarmatosjen dhe çmontimin e Hamasit, nuk mund të ketë paqe reale dhe afatgjatë.
“Prandaj, derisa Hamasi të çarmatoset dhe të çmontohet, asnjë paqe nuk mund të zgjasë dhe nuk mund të arrihet,” theksoi Rama.
Në fjalën e tij, Rama solli shembullin e një tuneli në qendër të Tiranës, të ndërtuar gjatë diktaturës komuniste për torturimin e kundërshtarëve politikë dhe për strehim në rast sulmi, i cili sot është shndërruar në hapësirë memoriale për viktimat.
“Në qendër të Tiranës është një tunel i ndërtuar për të torturuar armiqtë e popullit ose për t’u strehuar nga ndonjë sulm, nga një regjim që kishte frikë çdo dritë lirie. Sot ai tunel është transformuar në një hapësirë të dedikuar për viktimat,” tha Rama.
Duke iu referuar tuneleve të përdorura nga Hamasi në Gaza, ai sugjeroi që ato të ruhen si pjesë e kujtesës kolektive dhe si dëshmi e krimeve të kryera.
“Në ato tunele që Hamasi vrau dhe torturoi pengjet izraelite, ato duhet të ruhen si pjesë e rindërtimit të Gazës, si dëshmi e paqes afatgjatë që mund të arrihet dhe si shembull i memories kolektive që nuk duhet të harrojë vuajtjet e izraelitëve dhe palestinezëve,” u shpreh kryeministri.
Rama nënvizoi se viktimat e Hamasit duhet të mbeten simbol i përhershëm kundër terrorit dhe dhunës.
“Uroj që trupat e vrarë nga Hamasi të jenë si qirinj të ndezur dhe si shenjë e përjetshme për terrorin dhe horrorin e ndërmarrë nga Hamasi. Ata që harrojnë të shkuarën e tyre, janë të dënuar ta rijetojnë atë,” përfundoi Rama.