Vendosni fjalën kyçe....

Kapet në Emiratet e Bashkuara Arabe anëtari i grupit Rraja, ishte në kërkim nga SPAK


Në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, Policia e Shtetit ka arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe një 39-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar si drejtues i një grupi kriminal për kultivim dhe trafik narkotikësh në zonën e Krujës.

Sipas policisë, Bujar Sefa allias Xaka një prej anëtarëve të grupit Rraja ishte në kërkim nga Interpol Tirana pas vendimit të Gjykatës së Posaçme që i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për disa vepra të rënda penale, përfshirë kultivimin e bimëve narkotike, trafikimin e drogës, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe mbajtjen pa leje të armëve.

Njoftimi:

Policia e Shtetit

Vijon operacioni i koduar “The Wanted”, kapet 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar.

Akuzohet si drejtuesi i një grupi kriminal që ka kultivuar bimë narkotike, në Krujë, kapet në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 39-vjeçari.

Si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit me homologët, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, u bë e mundur kapja në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit:

-B. S. alias B. X., 39 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 23.05.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Shtetasi B. S. alias B. X. akuzohet se ka qenë drejtuesi i një grupi kriminal, i cili në vitin 2020 ka kultivuar bimëve narkotike në fshatrat e njësisë administrative Cudhi, Krujë.

Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi po bashkëpunojnë për të kryer procedurat e ekstradimit të këtij shtetasi, në Shqipëri.