
Dhjetëra minatorë të Trepçës kanë mbetur të ngujuar qindra metra nën tokë, pasi nuk kanë mundur të dalin nga miniera pas përfundimit të ndërrimit të dytë të punës.
Sipas informacioneve të siguruara nga KosovaPress, shkak i situatës është bërë një defekt në furnizimin me energji elektrike, i cili ka pamundësuar funksionimin normal të sistemit të nxjerrjes.
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, ka deklaruar se ende nuk ka informacione të plota mbi gjendjen e minatorëve, duke theksuar se edhe ai është njoftuar për rastin përmes mediave.
“Për shkak të një defekti në energji elektrike ka mbetur i ngujuar ndërrimi i dytë. Nuk kam shumë informata, sepse ende nuk jam njoftuar nga askush. Edhe unë këtë e kam kuptuar nga lajmet”, ka thënë Januzi për KosovaPress.
Ndërkohë, sipas portalit “Jepi zë”, minatorët e ndërrimit të dytë janë të ngujuar në horizontet 10, 9 dhe 8 të minierës.
Kujtohet se vetëm disa ditë më parë, një situatë e ngjashme ishte regjistruar në Trepçë, kur si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike, pesë pompistë kujdestarë mbetën të bllokuar nën tokë për rreth 8 deri në 9 orë.
Autoritetet pritet të reagojnë për zgjidhjen e situatës dhe garantimin e sigurisë së minatorëve.