
Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, u zotua të bllokojë një paketë të madhe financimi javën e ardhshme, nëse republikanët nuk bien dakord për të hequr fondet për Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS), duke rritur në mënyrë dramatike rrezikun për një mbyllje të pjesshme të qeverisë amerikane.
Njoftimi i Schumer erdhi në të njëjtën ditë kur një agjent i Patrullës Kufitare qëlloi dhe vrau një infermier amerikan në Minesota, gjatë protestave kundër masave të rrepta ndaj emigracionit në atë shtet.
Kundërshtimi i demokratëve ndaj paketës së financimit mund të prekë jo vetëm Sigurinë Kombëtare, por edhe departamentet e Mbrojtjes, Punës, Arsimit, Shtetit, Thesaurit si dhe atë të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.
Pasojat do ishin të gjera, duke përfshirë edhe shtyrjen e raportit të radhës nga Byroja e Statistikave të Punës.
Në rast të një mbylljeje të qeverisë, shumë punonjës thelbësorë – përfshirë ushtrinë dhe agjentët e Administratës së Sigurisë së Transportit – mund të detyrohen të punojnë pa pagesë. Megjithatë, punonjësit e Emigrimit dhe Doganave (ICE) dhe ata të Patrullës Kufitare mund të vijojnë të paguhen përmes financimeve shtesë nga ligji i taksave i Presidentit Donald Trump, i nënshkruar vitin e kaluar.
Dhoma e Përfaqësuesve e kaloi projektligjin të enjten dhe u largua nga Uashingtoni deri pas afatit të 30 janarit, kur skadon afati për mbylljen e qeverisë.
Çdo ndryshim në projektligj, përfshirë heqjen e financimit për DHS-në, do kërkonte rikthimin e Dhomës së Përfaqësuesve për të votuar mbi projektligjin e ri, shkruan Bloomberg.