
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për BBC, ka deklaruar se Kosova është shembull i një vendi që e di çmimin dhe rrugën drejt paqes, duke kujtuar periudhën e luftës dhe mbështetjen vendimtare të aleatëve ndërkombëtarë.
“26 vjet më parë Kosova ishte një vend i shkatërruar nga lufta. Gjenocidi po kryhej kundër popullit tonë. Nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve demokratike, jetët tona u shpëtuan,” tha Osmani.
Ajo shtoi se ndërhyrja ndërkombëtare i dha Kosovës mundësinë për paqe dhe liri, duke theksuar se sot Kosova është një shtet sovran dhe demokratik, dhe brezi i parë që nuk ka njohur luftën rritet në paqe.
“Ne e dimë se si mund të arrihet paqja, dhe ajo mund të arrihet përmes veprimit. Në atë kohë isha një fëmijë i luftës, jetët tona ishin në rrezik, por asnjë veprim nuk ndodhte deri sa erdhi ndihma ndërkombëtare,” shtoi presidentja.
Osmani rikujtoi gjithashtu se anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes të presidentit amerikan Donald Trump nuk përfshin asnjë obligim financiar për shtetin dhe e konsideroi këtë hap si historik për vendin.