Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Jemi në kilometrin e fundit, protestat do të vazhdojnë



Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita do të vijojë me protesta, duke e cilësuar situatën politike si “kilometrin e fundit” dhe falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe reagimin e tyre.

Në një prononcim për mediat, Berisha theksoi se protestat nuk kanë karakter personal apo partiak, por përfaqësojnë shprehjen e ndërgjegjes qytetare. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen, duke argumentuar se fondet që dyshohen të jenë të vjedhura prekin interesat e të gjithëve, veçanërisht të brezave të rinj.

Kreu i PD-së vuri theksin te pjesëmarrja e të rinjve, duke e cilësuar atë si elementin më domethënës të tubimit. Ai shtoi se prania e rinisë ka shkaktuar reagimin e ashpër të kryeministrit, të cilin e akuzoi për përdorim të gjuhës fyese ndaj të rinjve protestues.

“Padyshim do ketë protesta dhe vetëm protesta. Jemi në kilometrin e fundit, të gjithë potencialin tonë, jemi mirënjohës pafund për përgjigjen qytetare. Një thirrje kam për çdo qytetar, edhe një herë, nuk është protestë kjo as për një person apo parti, është protestë e ndërgjegjes qytetare. Kur themi janë vjedhur qindra miliona euro nuk janë vetëm të fëmijëve të atyre opozitarëve që protestojnë, por të fëmijëve të gjithëve. Tipari më kardinal në atë protestë ishte rinia në veprim dhe ndaj tmerri i Ramës që i quajti rrugaçë lagjesh të rinjtë dinjitozë e guximtarë që kishin dalë për ndërgjegjen e tyre kundër tij,” deklaroi Berisha.

Ai përfundoi duke nënvizuar se opozita do të angazhojë të gjithë potencialin e saj në vijim të protestave, duke i konsideruar ato si mjetin kryesor të reagimit politik dhe qytetar në këtë fazë.