Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Hetim deri në fund për çdo manipulim vote, vullneti i qytetarëve është i shenjtë


Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me dyshimet për manipulime të votave brenda subjekteve politike, duke kërkuar hetim të plotë dhe ndëshkim të përgjegjësve.

Në një reagim publik, Kurti theksoi se komisionerët apo individët e përfshirë në manipulime nuk do të kenë amnisti dhe se institucionet duhet t’i çojnë hetimet deri në fund. Ai u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë dhe do të mbetet mbrojtëse e vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës.

Postimi:

Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë.

Republika e Kosovës është shembull i demokracisë në rajon dhe i proceseve zgjedhore. Adresimi përmes ligjit dhe llogaridhënies për rastet e dyshimeve të manipulimeve brenda subjekteve politike, është i domosdoshem për integritetin e procesit.

Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë, dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen.