
Ministri gjerman, Günther Krichbaum gjatë vizitës së tij në Shqipëri mësohet se po zhvillon aktualisht një takim me kryeministrin e vendit, Edi Rama.
Burime për Hashtag.al bëjnë me dije se ministri i ka kërkuar kryeministrit të vendit të mos ushtrojë presion mbi Gjykatën e Posaçme (SPAK), si dhe të mos mbrojë zv.kryeministren, Belinda Balluku.
SPAK ka nisur hetimet ndaj Ballukut për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera, në lidhje me disa procedura prokurimi, përfshirë projekte të rëndësishme infrastrukturore. Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria e Posaçme i kërkoi Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosjen e masave të sigurimit personal, mes tyre edhe pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit.
Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK dhe vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, si masë e përkohshme gjatë hetimit. Ky vendim u kundërshtua menjëherë nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi pezullimin si një ndërhyrje të papranueshme në kompetencat e pushtetit ekzekutiv dhe deklaroi se çështja do të dërgohej për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Qeveria argumentoi se Balluku, si anëtare e Këshillit të Ministrave dhe njëkohësisht deputete, gëzon imunitet dhe se pezullimi nga detyra nuk mund të vendoset pa autorizimin e Kuvendit, duke ngritur kështu një konflikt kompetencash mes pushteteve.
Gjykata Kushtetuese, në një vendim të ndërmjetëm, vendosi të pezullojë përkohësisht zbatimin e masës së pezullimit nga detyra, duke rikthyer Ballukun në funksion, deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes. Ndërkohë, masa e ndalimit të daljes jashtë vendit mbeti në fuqi.
Çështja vijon të jetë në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ku përplasen qëndrimet e qeverisë dhe të SPAK mbi kufijtë e kompetencave dhe pavarësinë e drejtësisë.