
Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, ka prezantuar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos një “plan master” për rindërtimin e Gazës pas luftës, duke përdorur pamje dhe slajde me rrokaqiej modernë dhe komplekse banimi, përcjell DW.
Gjatë prezantimit, Kushner deklaroi se Gaza pas luftës mund të shndërrohet në “një vend ku njerëzit mund të lulëzojnë dhe të kenë punësim të mirë”, duke shtuar se projekte të tilla urbane janë të realizueshme në një periudhë të shkurtër kohore në Lindjen e Mesme, nëse ekziston vullneti politik dhe financiar.
Ai theksoi se për rindërtimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike të shkatërruara do të nevojiten të paktën 25 miliardë dollarë investime. Sipas tij, Gaza mund të kthehet në një destinacion shprese dhe zhvillimi.
Plani parashikon katër faza kryesore rindërtimi, të ndara sipas zonave: Rafah, Khan Younis, kampet qendrore dhe Qyteti i Gazës. Prezantimi i Kushner u bë menjëherë pas fjalës së Donald Trump, i cili foli për nismën e tij të quajtur “Bordi i Paqes”, që synon mbikëqyrjen e armëpushimit dhe procesit të rindërtimit në Gaza.