
Elon Musk bëri këtë të enjte paraqitjen e tij të parë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke parashikuar një të ardhme të dominuar nga robotët dhe Inteligjenca Artificiale. Miliarderi i teknologjisë deklaroi se robotët përfundimisht do t’i tejkalojnë njerëzit në numër dhe se AI do të bëhet më e zgjuar se inteligjenca njerëzore, si individuale ashtu edhe kolektive.
Kreu i Tesla-s dhe SpaceX u shfaq në skenë në një bisedë me CEO-n e BlackRock, Larry Fink, i cili e hapi seancën me nota humori, duke i kërkuar audiencës të duartrokiste më fort për Musk. Paraqitja e tij shënon një ndryshim qëndrimi, pasi Musk më herët e kishte kritikuar Davosin si një forum elitist dhe “të mërzitshëm”.
Musk e nisi fjalën me shaka politike, duke iu referuar komenteve të Presidentit amerikan Donald Trump për ambicie territoriale, përpara se të përsëriste pretendimet e tij të zakonshme mbi jetën jashtëtokësore, duke thënë me ironi se “nëse dikush do ta dinte nëse ka alienë mes nesh, ai do të isha unë”.
“Një shpërthim ekonomik i paprecedentë”
Sipas Musk, përparimi i shpejtë në AI dhe robotikë do të sjellë një bum ekonomik historik. “Do të prodhojmë aq shumë robotë dhe sisteme AI saqë do të plotësohen plotësisht nevojat njerëzore,” tha ai, duke parashikuar se robotët do të jenë më të shumtë se njerëzit.
Ai njoftoi se robotët humanoidë Optimus të Tesla-s pritet të kryejnë detyra të thjeshta në fabrika deri në fund të këtij viti dhe punë industriale më komplekse brenda 12 muajve. Musk sugjeroi gjithashtu përdorimin e tyre në jetën e përditshme, nga kujdesi për fëmijët deri te kafshët shtëpiake, me kusht që të jenë plotësisht të sigurt.
AI më e zgjuar se njerëzimi
Musk parashikoi se deri në fund të vitit 2026, AI do të tejkalojë inteligjencën e çdo individi njerëzor dhe brenda pesë viteve do të kapërcejë inteligjencën kolektive të njerëzimit.
Ai foli edhe për zhvillimet në transport, duke theksuar se shërbimet robotaxi të Tesla-s tashmë janë funksionale në disa qytete amerikane dhe pritet të shtrihen në mbarë SHBA-në deri në fund të vitit. Sipas tij, kompania synon të marrë miratimin për tregun evropian muajin e ardhshëm, pa specifikuar vendet.
Plakja, një problem “i zgjidhshëm”
Në lidhje me jetëgjatësinë njerëzore, Musk u shpreh se plakja është “një problem shumë i zgjidhshëm”, duke shtuar se sapo të identifikohet shkaku themelor, zgjidhja do të bëhet e qartë për shkencëtarët.
Musk u shtua në agjendën e Forumit Ekonomik Botëror në minutën e fundit, vetëm një ditë pas fjalimit të Donald Trump. Në të kaluarën, ai e kishte kritikuar ashpër WEF-in, duke e akuzuar për prirje drejt një “qeverie botërore të pa zgjedhur” dhe duke refuzuar ftesat për pjesëmarrje, të cilat i kishte cilësuar si të mërzitshme.
Sipas listës në kohë reale të Forbes, pasuria e Elon Musk vlerësohet aktualisht në rreth 779 miliardë dollarë, shkruan CBS.