
Drejtoresha juridike e Kuvendit, Mimoza Arbi, ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese argumentet e Kuvendit lidhur me çështjen e pezullimit nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, të cilin e ka ankimuar Kryeministria.
Ajo u hspreh se pezullimi i një anëtari të Këshillit të Ministrave krijon bllokadë dhe është i njësoj si shkarkimi.
“Vendimi krijon një konfuzion juridik në lidhje me statusin e akteve. Dekreti i presidentit për emërimin e ministrit, janë akte kushtetuese që prodhojnë efekte juridike të plota.
Në lidhje me vendimin e GJKKO u bë në mungesë së një baze kushtetuese. Kjo mungesë nuk është zbarazëti ligjore, por zgjidhje e qëllimshme bërë nga Kushtetuta.
Pezullimi i një anëtari të Këshillit të Ministrave krijon bllokadë. Përmes pezullimit, ndalohet pjesëmarrja e ministrit në Këshillin e Ministrave. Kjo gjendje është i ngjashëm si shkarkim.
Ky pezullim është pa afat, pasi është i kushtëzuar nga afati i hetimit. Ky mund të jetë i barabartë dhe me një mandat të qeverisë.
Duke pranuar që pezullimi arrin deri te shkarkimi, Kuvendi pretendon se cënohen kompetencat e këtij institucioni. Ne mbështesim kërkesën e Kryeministrit drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe pranimin e kësaj kërkese.”, tha ajo.