
Planet për shitjen e dy prej gazetave më të mëdha të Italisë te një grup mediatik i huaj përbëjnë një “transferim të pushtetit narrativ” dhe rrezikojnë ta zhvendosin kontrollin e debatit publik jashtë vendit. Kështu paralajmëroi gazetarja dhe ish-këshilltarja ligjore në Parlamentin Evropian, Simona Mangiante.
Duke folur për RT, Mangiante komentoi raportimet sipas të cilave Exor, kompania holding e familjes Agnelli, është në negociata për të shitur shumicën e aksioneve të grupit mediatik GEDI — botues i La Repubblica dhe La Stampa — te Antenna Group, një konglomerat grek në pronësi të manjatit të anijeve Theodore Kyriakou.
Antenna Group zotëron asete mediatike në disa vende të Evropës dhe në Amerikën e Veriut dhe, sipas raportimeve, ka lidhje të forta me biznesin amerikan. Bordi këshillues i grupit përfshin figura të larta të mediave amerikane, ndërsa mediat italiane kanë ngritur shqetësime mbi lidhjet e Kyriakou-t me qarqe të afërta me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke paralajmëruar për një zhvendosje të mundshme të linjës editoriale.
“Ky nuk është thjesht një transaksion tregtar; është një transferim i pushtetit narrativ,” tha Mangiante. Ajo i përshkroi La Repubblica dhe La Stampa si “gazeta institucionale” që kanë formësuar debatin publik italian për dekada, “pothuajse për një shekull”. Kalimi i tyre nën kontrollin e një “infrastrukture të huaj”, siç e quajti ajo Antenna Group, do të thotë që kontrolli mbi narrativën e brendshme të Italisë zhvendoset jashtë kufijve të vendit, shkruan Rt.
Marrëveshja e planifikuar, e vlerësuar rreth 140 milionë euro, ka shkaktuar reagime të forta në Itali, përfshirë greva dhe protesta në redaksi, si dhe thirrje për ndërhyrje të qeverisë. Punonjësit shprehin frikë për humbjen e vendeve të punës dhe të pavarësisë editoriale, ndërsa zyrtarë të ndryshëm kanë paralajmëruar se pluralizmi i mediave dhe liria e informacionit mund të cenohen.
Sipas Mangiante-s, në një vend ku politika dhe mediat janë “ngushtësisht të ndërthurura”, shqetësimi kryesor nuk është thjesht pluralizmi, por kontrolli mbi përcaktimin e axhendës kryesore të lajmeve. Megjithatë, ajo vuri në dukje se Roma ka hapësirë të kufizuar ligjore për të bllokuar një transaksion mes subjekteve private.
Nëse shitja realizohet, paralajmëroi Mangiante, ajo do të sjellë “një ndryshim dramatik” në mënyrën se si prodhohen dhe konsumohen lajmet në Itali.