Vendosni fjalën kyçe....

Departamenti i Shëndetësisë nis studim të ri mbi rrezukun e celularëve


Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka hequr në heshtje disa faqe zyrtare interneti që pohonin se telefonat celularë nuk paraqesin rrezik për shëndetin, në një kohë kur Departamenti amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), nën drejtimin e Robert F. Kennedy Jr., ka nisur një studim të ri mbi rrezatimin e celularëve.

Kennedy, së bashku me disa aleatë të tij, ka ngritur prej vitesh shqetësime se telefonat celularë mund të jenë një burim potencial sëmundjesh, përfshirë kancerin.

Këto qëndrime bien ndesh me përfundimet e shumicës së institucioneve kryesore shkencore, të cilat, përfshirë vetë FDA-në, kanë deklaruar më herët se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme që lidhin përdorimin e celularëve me probleme shëndetësore. Megjithatë, një grup më i vogël, por i zëshëm shkencëtarësh, ka kërkuar më shumë masa paraprake — shqetësime që Kennedy i ka mbështetur publikisht.

Një nga faqet e hequra të FDA-së deklaronte se “pesha e provave shkencore nuk e ka lidhur ekspozimin ndaj energjisë së radiofrekuencës nga përdorimi i celularit me asnjë problem shëndetësor”, sipas një versioni të arkivuar.

Zëdhënësi i HHS-së, Andrew Nixon, konfirmoi se “FDA ka hequr faqet që përmbanin përfundime të vjetra mbi rrezatimin e celularëve”, ndërsa HHS po ndërmerr një studim mbi rrezatimin elektromagnetik dhe kërkimin shëndetësor për të identifikuar boshllëqet në njohuri, përfshirë teknologjitë e reja. Ai nuk dha detaje se kush po e udhëheq studimin.

Megjithëse faqet e plota janë hequr, në faqen zyrtare të FDA-së vazhdojnë të shfaqen përmbledhje të përmbajtjes së mëparshme, ndërsa lidhjet përkatëse ridrejtojnë përdoruesit drejt një faqeje të përgjithshme që shpjegon rolin rregullator të agjencisë.

Kennedy, një avokat mjedisor prej dekadash, arriti në vitin 2020 të detyrojë përmes një vendimi gjyqësor Komisionin Federal të Komunikimeve (FCC) të rishikojë standardet e tij për rrezatimin pa tel.

Ai ka përfaqësuar gjithashtu paditës në procese gjyqësore kundër kompanive të telekomunikacionit, duke pretenduar se përdorimi i celularëve u kishte shkaktuar tumore në tru. Organizata që ai drejtonte, Children’s Health Defense, ka ngritur ose mbështetur padi lidhur me infrastrukturën 5G, përfshirë një rast të pasuksesshëm në vitin 2023, ku pretendohej se një kullë celulare kishte shkaktuar probleme kardiake te një banor i Idaho-s.

“Fëmijët tanë po notojnë në një supë toksike,” deklaroi Kennedy në vitin 2023 në podkastin e Joe Rogan, duke sugjeruar se celularët mund të jenë një nga shkaqet e sëmundjeve kronike te fëmijët. “Rrezatimi i Wi-Fi është shumë më i keq nga sa mendojnë njerëzit,” shtoi ai.

Megjithatë, studimet e mëdha epidemiologjike nuk kanë gjetur lidhje midis përdorimit të celularëve dhe kancerit. Sipas Elizabeth Platz, epidemiologe e kancerit dhe profesore në Shkollën e Shëndetit Publik “Johns Hopkins Bloomberg”, celularët nuk emetojnë llojin e rrezatimit që dihet se shkakton kancer.

Siguria e celularëve rregullohet nga FCC dhe FDA, ku kjo e fundit ofron vlerësime shkencore mbi të cilat FCC vendos kufijtë e lejuar të emetimeve të radiofrekuencave. FCC nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Faqja zyrtare e FCC-së vazhdon të theksojë se nuk ka prova që celularët ose pajisjet e tjera pa tel shkaktojnë kancer. Një përfundim të ngjashëm mban edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila thekson se nevojiten më shumë kërkime afatgjata, veçanërisht për përdorimin mbi 15 vjet. Edhe faqja e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), e pandryshuar që nga marrja e detyrës nga Kennedy, nënvizon se “nevojiten më shumë kërkime përpara se të dihet nëse përdorimi i celularëve shkakton efekte shëndetësore”.

Joel Moskowitz, profesor i shëndetit publik në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, i njohur për paralajmërimet e tij mbi rreziqet e mundshme të celularëve, tha se ishte kontaktuar nga një ndihmës i Kennedy-t për një studim ose rishikim të literaturës shkencore dhe për një tryezë ekspertësh. Ai tha se refuzoi të merrte pjesë për shkak të mospajtimeve me qëndrimet e Kennedy-t mbi vaksinat dhe çështje të tjera të shëndetit publik.

Sipas Moskowitz, ndihmësja Stefanie Spear i kishte thënë se 1.5 milionë dollarë ishin ndarë nga Zyra e Ndihmës Sekretarit për Shëndetësinë për këtë nismë.

“Ata po e bëjnë këtë thjesht për të zvarritur procesin dhe e dinë se nuk do të sjellë ndonjë ndryshim të madh rregullator,” tha Moskowitz, duke shtuar se pjesa tjetër e administratës mbetet e paqartë dhe e çrregullt në qasjen ndaj kësaj teknologjie.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Wall Street Journal

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani