Vendosni fjalën kyçe....

Forumi i Davos-it, Kina: Jemi gati të importojmë më shumë dhe të bëhemi “tregu i botës”


Kina nuk e ka ndjekur kurrë qëllimisht një suficit tregtar dhe është e gatshme të zgjerojë ndjeshëm importet, u shpreh zëvendëskryeministri kinez He Lifeng gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Duke folur në takimin vjetor të WEF, He theksoi se Kina është e gatshme të shfrytëzojë “tregun e saj me përmasa gjigante” dhe të luajë një rol më aktiv si importuese globale.

“Ne nuk jemi vetëm të gatshëm të jemi fabrika e botës, por edhe, më me dëshirë, të jemi tregu i botës”, deklaroi ai, sipas Reuters.

Deklaratat vijnë në një moment kur Kina ka regjistruar një suficit tregtar rekord, çka ka shtuar shqetësimet e partnerëve tregtarë për mbikapacitet prodhimi dhe për rrezikun e masave mbrojtëse ndaj eksporteve kineze.

Megjithatë, He u përpoq ta paraqesë Pekinin si një partner të besueshëm tregtar dhe investues, në një klimë globale të tronditur nga politikat tarifore të SHBA-së.

“Praktikat e njëanshme dhe marrëveshjet tregtare të disa vendeve shkelin parimet bazë të Organizatës Botërore të Tregtisë dhe dëmtojnë seriozisht rendin ekonomik ndërkombëtar”, tha ai, pa përmendur drejtpërdrejt ndonjë shtet.

Sipas tij, “Kina është partner tregtar i të gjitha vendeve, jo një kundërshtar, dhe zhvillimi i saj është një mundësi, jo një kërcënim për ekonominë globale”.

He theksoi gjithashtu se në shumë raste Kina dëshiron të blejë më shumë produkte nga jashtë, por përballet me barriera të vendosura nga vende të tjera për arsye sigurie kombëtare, një praktikë që Pekini e përshkruan si “pan-sekuritizim”.

Delegacioni kinez në Davos synon të përcjellë mesazhin e hapjes ndaj investimeve dhe tregtisë, në një kohë kur ekonomia kineze përballet me sfida të brendshme.

Edhe pse Kina arriti objektivin zyrtar të rritjes prej rreth 5% në vitin 2025, rritja ekonomike u ngadalësua në tremujorin e fundit, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e modelit të bazuar në eksporte.

Zëvendëskryeministri kinez mbrojti modelin e zhvillimit të vendit, duke theksuar se ai bazohet në reforma, hapje dhe inovacion, e jo në subvencione shtetërore, akuza që janë ngritur shpesh nga Bashkimi Europian dhe partnerë të tjerë tregtarë.

Kina, sipas He Lifeng, do të fokusohet këtë vit në rritjen e kërkesës së brendshme, duke ftuar kompanitë ndërkombëtare të shfrytëzojnë mundësitë që ofron tregu kinez.