
Norma maksimale e interesit (NEI maksimal) për kreditë konsumatore është ulur sërish për gjysmën e parë të vitit 2026.
Sipas normave të reja të miratuara nga Banka e Shqipërisë, për kreditë konsumatore me vlerë deri në 200 mijë lekë, institucionet financiare nuk mund të aplikojnë normë efektive interesi më të lartë se 54.8%, nga 62.2% që kishte qenë në gjysmën e dytë të vitit 2025 dhe nga 70.9% që kishte qenë një vit më parë.
Norma efektive maksimale e interesit përfshin normën nominale të interesit, komisionet e aplikuara nga huadhënësi dhe të gjitha kostot e kredisë që i transferohen klientit.
Sipas ndryshimeve të miratuara në fillim të vitit 2025 nga Banka e Shqipërisë në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”, norma maksimale e interesit për kreditë konsumatore me këste deri në vlerën e 200 mijë lekëve do të jetë sa mesatarja e thjeshtë e normës efektive të interesit për kredinë e dhënë në 6-mujorin paraardhës, pa u shtuar me një të tretën, siç parashikohej më parë.
Ndërkohë, për kreditë në vlerë më të lartë se 200 mijë lekë mënyra e llogaritjes do të vazhdojë të jetë e njëjtë, duke i shtuar mesatares së 6-mujorit të kaluar një të tretën, për të përcaktuar vlerën e NEI-t maksimal.
Pjesë e ndryshimeve në rregullore ishte edhe shtimi i detyrimit për kryerjen e pagesës nga ana e konsumatorit të komisioneve të aplikuara nga subjektet në momentin e dhënies së kredisë konsumatore, duke mos lejuar shpërndarjen e këtyre kostove përgjatë jetëgjatësisë së kredisë.
Gjithmonë për shumat deri në 200 mijë lekë, NEI maksimal për overdraftet (paradhëniet) është ulur lehtë në 18.27%, nga 18.3% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë 2025 dhe nga 18.54% që kishte qenë në gjashtëmujorin e parë 2025.
NEI maksimal për kreditë nga 200 mijë lekë deri në 600 mijë lekë ka shënuar një rritje të lehtë në 35.43%, nga 35.21% që kishte qenë në gjashtëmujorin e kaluar, por ngelet në nivel më të ulët nga norma prej 36.55% e gjashtëmujorit të parë 2025.
Për overdraftet në intervalin 200-600 mijë lekë, NEI maksimal është rritur në 18.5%, nga 18.41% që ishte në gjashtëmujorin e dytë 2025 dhe në të njëjtin nivel me gjashtëmujorin e parë 2025.
Ndërkohë, për kreditë me vlerë nga 600 001 deri në 2 000 000 lekë NEI maksimal është ulur në 14.71%, nga 14.93% që kishte qenë në gjashtëmujorin e kaluar, por ngelet në nivel lehtësisht më të lartë nga norma 14.67% e gjashtëmujorit të parë të vitit 2025.
Aplikimi i një norme tavan interesi për kreditë konsumatore në Shqipëri nisi në fillim të vitit të vitit 2022. Sipas Bankës së Shqipërisë, arsyeja kryesore ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka.
Që prej aplikimit për herë të parë, NEI maksimal ka pësuar një rënie të ndjeshme. NEI i parë maksimal për kreditë e vogla deri në 200 mijë lekë, që u vendos në fillim të vitit 2022, ishte në nivelin 171.41%, ndërsa sipas publikimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë ky tregues ka zbritur tashmë në 54.8%./Monitor