Vendosni fjalën kyçe....

Rrëmbim masiv gjatë shërbesave fetare në Nigeri, mbi 160 besimtarë të krishterë merren peng



Të paktën 163 besimtarë të krishterë janë rrëmbyer gjatë shërbesave të së dielës nga dy kisha në shtetin Kaduna të Nigerisë, bëri të ditur Shoqata e Krishterë e Nigerisë për DW.

Sipas kreut të kësaj shoqate për veriun e vendit, pastorit Joseph Hayab, sulmuesit mbërritën në numër të madh, bllokuan hyrjet e kishave dhe detyruan besimtarët të largoheshin drejt zonës pyjore përreth. “Numri fillestar ishte 172 persona, por nëntë arritën të shpëtonin. Aktualisht 163 janë ende në duart e rrëmbyesve,” deklaroi ai.

Ndërkohë, deputeti lokal Usman Danlami Stingo, i cili përfaqëson zonën në parlamentin e shtetit, foli për tre sulme të ndara gjatë shërbesave të së dielës, duke e çuar numrin e të rrëmbyerve në 168, sipas agjencisë Associated Press.

Policia nigeriane konfirmoi se persona të armatosur me “armë të sofistikuara” sulmuan dy kishat në fshatin Kurmin Wali, një komunitet kryesisht i krishterë dhe i izoluar, me infrastrukturë të dobët rrugore. Autoritetet thanë se po punohet ende për verifikimin e saktë të numrit të pengjeve.

Forcat e sigurisë, përfshirë ushtrinë dhe agjenci të tjera, janë dislokuar në zonë dhe operacionet për gjurmimin e rrëmbyesve dhe shpëtimin e pengjeve janë në vijim.

Rrëmbimet për shpërblim janë në rritje në Nigeri, veçanërisht në pjesët qendrore dhe veriore të vendit, ku grupe kriminale dhe banda të armatosura sulmojnë komunitete të largëta me prani të kufizuar shtetërore. Sipas një raporti të fundit, kjo praktikë është shndërruar në një industri të strukturuar kriminale, me fitime që kapin miliona dollarë në vit.

Zona e Kaduna-s ka qenë prej kohësh vatër e dhunës mes fermerëve të krishterë dhe barinjve myslimanë Fulani, kryesisht për shkak të konflikteve mbi tokën dhe burimet natyrore, megjithëse autoritetet theksojnë se viktima janë si të krishterë, ashtu edhe myslimanë.