Vendosni fjalën kyçe....

Në Kosovë do rinumërohen të gjitha votat


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të numërohen edhe një herë të gjitha votat nga vendvotimet e rregullta, pasi gjatë rinumërimit të vetëm një të katërtës së tyre janë evidentuar rreth 57 mijë vota të keqregjistruara për kandidatë.

Afër 57 mijë është shkalla e vjedhjes së votave që janë evidentuar gjatë rinumërimit të vetëm një të katërtës së vendvotimeve. Këto gjetje kanë shtyrë të hënën Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të çojë në rinumërim të gjitha votat nga vendvotimet e rregullta.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, pasi lexoi gjetjet e raportit të Këshillit për Operacione Zgjedhore, propozoi edhe ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Prizren, aty ku janë hasur shpërputhjet më të mëdha të rezultateve, shkruan Koha.

“Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN”, tha Radoniqi. Të dyja propozimet u miratuan unanimisht.