Vendosni fjalën kyçe....

Popullsia e Kinës bie për të katërtin vit radhazi, lindshmëria në nivelin më të ulët historik



Popullsia e Kinës ka rënë për të katërtin vit radhazi në vitin 2025, pasi norma e lindshmërisë shënoi nivelin më të ulët që nga nisja e regjistrimeve zyrtare, rreth 80 vjet më parë. Të dhënat u publikuan të hënën nga Zyra Kombëtare e Statistikave në Pekin, përcjell DW.

Sipas shifrave zyrtare, gjatë vitit të kaluar në Kinë kanë lindur vetëm 7.92 milionë foshnja, duke ulur normën e lindshmërisë me 17%, në 5.63 lindje për 1,000 banorë. Ky është niveli më i ulët që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949.

E kombinuar me një normë vdekshmërie prej 8.04 për 1,000 banorë, popullsia totale e vendit ka zbritur në rreth 1.404 miliardë njerëz, rreth 3 milionë më pak krahasuar me një vit më parë. Kina, që dikur ishte vendi më i populluar në botë, u tejkalua nga India në vitin 2023, e cila aktualisht numëron rreth 1.464 miliardë banorë.

Sipas përllogaritjeve të Kombeve të Bashkuara, nëse ky trend vazhdon, popullsia e Kinës mund të tkurret në rreth 800 milionë deri në vitin 2100.

Rënia e vazhdueshme po ndodh pavarësisht masave të shumta të ndërmarra nga qeveria kineze për të nxitur lindjet, rreth një dekadë pas përfundimit të politikës së famshme të një fëmije. Ndër to përfshihen mbështetje financiare për prindërit, përfshirë subvencione në para prej 3,600 juanësh (rreth 500 dollarë) për çdo fëmijë, të shpallura në korrik 2025, si dhe lehtësime fiskale për çerdhet, kopshtet dhe shërbimet e kujdesit për fëmijët.

Megjithatë, këto masa nuk kanë dhënë efektin e pritur. As rritja me 13% e taksave mbi prezervativët dhe mjetet e tjera kontraceptive nuk ka ndikuar në rritjen e lindshmërisë. Sipas vlerësimeve, norma e fertilitetit ka mbetur në rreth 1 fëmijë për grua gjatë jetës, shumë më poshtë nivelit 2.1 që nevojitet për të ruajtur madhësinë aktuale të popullsisë.