Vendosni fjalën kyçe....

18 viktima dhe 20 mijë të evakuuar nga zjarret në Kili, shpallet gjendja e jashtëzakonshme



Presidenti i Kilit, Gabriel Boric, ka shpallur gjendjen e katastrofës në dy rajone në jug të vendit, Ñuble dhe Bío Bío, si pasojë e zjarreve të përmasave të mëdha që kanë shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale, përcjell Reuters.

Sipas autoriteteve kiliane, të paktën 18 persona kanë humbur jetën, ndërsa rreth 20 mijë banorë janë detyruar të evakuohen nga zonat e rrezikuara. Agjencia shtetërore për menaxhimin e fatkeqësive, Senapred, bëri të ditur se mbi 250 banesa janë shkatërruar deri tani.

Agjencia Pyjore e Kilit (CONAF) raportoi se deri të dielën në mëngjes ishin aktive 24 vatra zjarri në mbarë vendin, me situatën më problematike në rajonet Ñuble dhe Bío Bío, rreth 500 kilometra në jug të kryeqytetit Santiago. Deri më tani, flakët kanë djegur afro 8.500 hektarë tokë.

Në një postim në rrjetin social X, presidenti Boric deklaroi se të gjitha burimet shtetërore janë vënë në dispozicion për përballimin e emergjencës. Më vonë, pas një takimi me kryetarët e bashkive të zonave të prekura në qytetin Concepción, ai konfirmoi bilancin e viktimave.

Autoritetet theksojnë se kushtet e pafavorshme atmosferike, përfshirë temperaturat e larta dhe erërat e forta, kanë ndihmuar përhapjen e shpejtë të zjarreve dhe kanë vështirësuar ndërhyrjen e zjarrfikësve. Një pjesë e madhe e territorit kilian ndodhet nën alerte për vapë ekstreme, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 38 gradë Celsius nga Santiago deri në Bío Bío.

Kili dhe Argjentina janë përballur me valë të forta të nxehti që nga fillimi i vitit, ndërsa zjarre të mëdha janë regjistruar edhe në rajonin e Patagonisë në Argjentinë gjatë javëve të fundit.