
Kuvendi i Shqipërisë nis sot sesionin e ri parlamentar, pas përfundimit të pushimeve, në një klimë të shoqëruar nga debate politike dhe çështje të rëndësishme në axhendë. Punimet do të hapen me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila do të përcaktojë kalendarin dhe programin e punës për pesë javët në vijim, ndërsa në orën 17:00 pritet të zhvillohet seanca e parë plenare.
Një nga temat që pritet të jetë pjesë e diskutimeve lidhet me çështjen e ministres Belinda Balluku. Këshilli i Imunitetit do të mblidhet më 28 janar për të shqyrtuar kërkesën për arrestimin ose jo të saj, ndërsa seanca publike në Gjykatën Kushtetuese është parashikuar të mbahet më 22 janar.
Ndërkohë, disa reforma të rëndësishme kanë mbetur ende pezull. Mazhoranca vlerëson si prioritare reformën zgjedhore dhe atë territoriale, duke theksuar se zgjedhjet vendore të vitit 2027 duhet të zhvillohen me një Kod Zgjedhor dhe hartë të re territoriale. Opozita ka bojkotuar procesin që prej dhjetorit dhe nuk ka dhënë sinjale për rikthim në tryezën e diskutimeve.
Mazhoranca ka paralajmëruar se do të presë reflektimin e opozitës deri në nisjen e këtij sesioni, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë e vijimit të reformave edhe pa konsensus. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian ka theksuar nevojën për gjithëpërfshirje dhe dialog në proceset reformuese.
Në axhendën parlamentare mbetet gjithashtu edhe diskutimi për një reformë të mundshme kushtetuese, e cila është artikuluar nga mazhoranca si një objektiv për t’u realizuar brenda këtij mandati parlamentar.