Vendosni fjalën kyçe....

Guatemala shpall gjendjen e jashtëzakonshme pas vrasjes së 7 policëve nga bandat kriminale



Presidenti i Guatemalës, Bernardo Arévalo, ka shpallur të dielën gjendjen e rrethimit për 30 ditë, pas vrasjes së të paktën shtatë efektivëve të policisë, ngjarje që pasoi një përplasje të ashpër mes autoriteteve dhe anëtarëve të dyshuar të bandave kriminale në tre burgje të vendit, përcjell DW.

Gjendja e rrethimit kërkon miratimin e Kongresit, por mund të hyjë në fuqi menjëherë edhe përpara votimit. Sipas ligjit guatemalas, ajo lejon kufizimin ose pezullimin e përkohshëm të disa lirive civile, si dhe zgjerimin e kompetencave të forcave të sigurisë përballë kërcënimeve ndaj rendit publik.

Autoritetet rimarrin kontrollin e burgjeve

Të shtunën, 46 roje burgu u morën peng nga të burgosur të lidhur me bandat kriminale në tre burgje të sigurisë së lartë për meshkuj. Autoritetet fajësuan bandën Barrio 18, e cila kishte kërkuar privilegje më të mëdha për drejtuesit e saj të burgosur, përfshirë transferimin në institucione me siguri më të ulët.

Vrasjet e policëve ndodhën në kryeqytetin Guatemala City dhe zonat përreth, në atë që autoritetet e konsiderojnë si hakmarrje ndaj operacionit të forcave speciale, të cilat ndërhynë me qindra efektivë për të rimarrë kontrollin e burgut të sigurisë maksimale “Renovación” në Escuintla. Në këtë burg mbahej edhe kreu i Barrio 18, Aldo Duppie, i njohur si “El Lobo”, i cili u neutralizua dhe u rikthye nën kontrollin e autoriteteve.

Pamjet e publikuara nga institucionet shtetërore tregojnë Duppien duke u shoqëruar nga policia, me shenja gjaku në shpatull.

Ministri i Brendshëm, Marco Antonio Villeda, deklaroi se vrasjet u kryen “nga këta terroristë, si reagim ndaj veprimeve që shteti i Guatemalës po ndërmerr kundër tyre”. Ai shtoi se dhjetë policë të tjerë u plagosën, ndërsa një person i dyshuar si anëtar bande u vra gjatë përplasjeve.

Gjendje e jashtëzakonshme kundër bandave

Presidenti Arévalo njoftoi se autoritetet kishin rimarrë kontrollin e të tre burgjeve dhe kishin liruar të gjithë rojet e marrë peng. Në një fjalim televiziv, ai shpalli gjendje emergjente në mbarë vendin për të luftuar bandat kriminale.

Sipas tij, gjendja e rrethimit do të mundësojë përdorimin e plotë të forcave të shtetit, përfshirë policinë dhe ushtrinë, në përballjen me dhunën e bandave. “Ata u rebeluan në burgje dhe morën pengje me qëllimin që shteti të pranonte kërkesat e tyre, të cilat për dekada u janë plotësuar,” u shpreh presidenti.

Ai theksoi se sulmet hakmarrëse pas rimarrjes së burgjeve ishin “një përpjekje për të terrorizuar forcat e sigurisë dhe popullsinë, që qeveria të tërhiqet nga lufta e drejtpërdrejtë kundër bandave”.

Arévalo shpalli gjithashtu tre ditë zie kombëtare për viktimat dhe siguroi se gjendja e emergjencës nuk do të ndikojë në jetën e përditshme të qytetarëve.

Ndërkohë, drejtori i Policisë Kombëtare Civile, David Boteo, u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa Ambasada e SHBA-së në Guatemala lëshoi një paralajmërim sigurie për shtetasit amerikanë.