Vendosni fjalën kyçe....

Vizita zyrtare në Ukrainë, Spiropali përshkruan vuajtjen dhe qëndresën e qytetarëve


Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, ka ndarë një përshkrim të detajuar nga vizita e saj zyrtare në Kiev këtë javë, duke sjellë nga afër realitetin dramatik me të cilin përballet Ukraina mes luftës dhe dimrit të ashpër.

Në postimin e saj në rrjetet sociale, të shoqëruar me imazhe nga vizita, Spiropali tregon se gjatë qëndrimit në kryeqytetin ukrainas ka parë lodhje të thellë fizike dhe shpirtërore te qytetarët.

Ajo përshkruan fytyrat e luftëtarëve me plagë të dukshme e të padukshme, familjet që jetojnë mes mungesash, prindërit që mbajnë mbi supe frikën e përditshme dhe fëmijët që detyrohen të rriten më shpejt se mosha e tyre për shkak të kushteve të luftës.

Ministrja shkruan se “brenda kësaj dhimbjeje dhe qëndrese të paepur” është nderuar nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I, një vlerësim që jepet për kontribute të veçanta.

Spiropali e ka konsideruar këtë dekoratë si një nder të jashtëzakonshëm dhe një kujtim të paharrueshëm, duke theksuar se çmimi i shton ndjenjën e përulësisë dhe përgjegjësisë për të folur, vepruar dhe qëndruar çdo ditë në shërbim të vendit dhe të vlerave që, sipas saj, i bashkojnë popujt evropianë.

“Në Kievin që përballet çdo ditë me sulme barbare në mesin e këtij dimri të egër, gjatë vizitës sime zyrtare në Ukrainë pashë nga afër lodhjen në trupat dhe shpirtrat e njerëzve. Pashë fytyra luftëtarësh që mbajnë plagë të dukshme e të padukshme. Familje që jetojnë me mungesa. Prindër që jetojnë me frikën e çdo ditë. Fëmijë që rriten më shpejt se mosha e tyre.Brenda kësaj dhimbjeje dhe qëndrese të paepur, u nderova nga Presidenti Volodymyr Zelensky me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I.  Ky nder dhe kujtim i paharrueshëm, ma shtojnë përulësinë dhe përgjegjësinë. Për të folur, për të vepruar dhe për të qëndruar çdo ditë në shërbim të vendit tim dhe të vlerave që na bashkojnë” shkroi Spiropali në Facebook.