
Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, deklaroi se Libani ndodhet në një “fazë të re të konfliktit” dhe në një “epokë të re”, duke theksuar se çështja e armëve të Hezbollahut është një problem i brendshëm libanez dhe se Izraeli nuk ka të drejtë të ndërhyjë, përcjell YNet.
Gjatë një fjalimi publik, Qassem reagoi ndaj debatit mbi çarmatosjen e Hezbollahut, duke theksuar se kjo çështje duhet të trajtohet vetëm brenda institucioneve të Libanit. Ai akuzoi ministrin e Jashtëm libanez, Youssef Reggie, për “nxitje të luftës civile”, pas një interviste ku Reggie ishte shprehur se Izraeli mund të vazhdojë sulmet për aq kohë sa armët e Hezbollahut nuk mblidhen nga shteti.
“Libani e ka zbatuar marrëveshjen, ndërsa Izraeli nuk ka zbatuar asgjë prej saj”, deklaroi Qassem, duke hedhur poshtë pretendimet se përgjegjësia për përshkallëzimin e situatës bie mbi palën libaneze.
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të shtuara në rajon dhe mes debatit të brendshëm në Liban mbi rolin e Hezbollahut dhe marrëdhëniet me Izraelin.