
Komisioni Evropian po shqyrton mënyra për të mundësuar një anëtarësim të përshpejtuar të Ukrainës në Bashkimin Evropian, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, por pa i dhënë Kievit menjëherë të drejta të plota anëtarësimi, të cilat do të “fitoheshin” vetëm pas periudhave tranzitore, thanë zyrtarë të BE-së.
Ideja, e cila ndodhet ende në një fazë shumë të hershme, synon të shërbejë si një gjest ndaj ukrainasve që kërkojnë anëtarësimin në BE si pjesë e një garancie sigurie pas luftës nga Evropa. Pas katër vitesh lufte kundër pushtimit rus, ata kërkojnë një premtim të besueshëm se vendi i tyre është në rrugën drejt stabilitetit ekonomik dhe integrimit me Perëndimin.
Sipas diplomatëve, anëtarësimi i Ukrainës në BE në vitin 2027 ishte përfshirë në një plan paqeje me 20 pika, të diskutuar mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Bashkimit Evropian, si një masë për të garantuar prosperitetin ekonomik të vendit pas përfundimit të luftës.
Megjithatë, shumë qeveri të BE-së besojnë se kjo datë – apo çdo datë tjetër fikse – është plotësisht joreale, pasi procesi i anëtarësimit në BE bazohet aktualisht në meritë dhe përparon vetëm kur një vend tregon progres konkret në harmonizimin e legjislacionit të tij me standardet e BE-së.
Anëtarësimi në bllok kërkon gjithashtu miratimin nga parlamentet kombëtare të të 27 shteteve anëtare.
Ideja e propozuar nga zyrtarët e BE-së do të përmbyste procesin tradicional, megjithëse edhe një anëtarësim i kufizuar do të kërkonte sërish pëlqimin e qeverive dhe parlamenteve kombëtare të vendeve anëtare.
“Duhet të pranojmë se ndodhemi në një realitet shumë të ndryshëm nga ai në të cilin u hartuan rregullat fillestare të anëtarësimit,” tha një zyrtar i BE-së.
Sipas këtij propozimi, Ukraina – dhe potencialisht edhe kandidatë të tjerë – do t’i bashkoheshin BE-së me shpejtësi dhe më pas do të fitonin “qasje të shkallëzuar” në të drejtat e votimit, në varësi të përparimit drejt përmbushjes së kritereve të plota të anëtarësimit, shkruan Reuters.