
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump deklaroi në një intervistë ekskluzive për Reuters se Ukraina dhe jo Rusia, po pengon arritjen e një marrëveshjeje paqeje, një qëndrim që bie ndesh me aleatët evropianë, të cilët prej kohësh theksojnë se Moska nuk ka treguar gatishmëri reale për t’i dhënë fund luftës.
Në intervistën e dhënë të mërkurën në Zyrën Ovale, Trump tha se Presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të përfundojë pushtimin pothuajse katërvjeçar të Ukrainës, ndërsa Volodymyr Zelenski po tregohet më hezitues.
Duke folur për Putin, Trump theksoi: “Mendoj se ai është gati të bëjë marrëveshje. Mendoj se Ukraina është më pak e gatshme të bëjë marrëveshje”, tha ai.
I pyetur pse negociatat e udhëhequra nga SHBA nuk kanë arritur ende të përmbyllin konfliktin më të madh tokësor në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore, Trump u përgjigj shkurt: “Zelenski”, tha ai.
Komente të tilla shënojnë një tjetër shenjë frustrimi ndaj liderit ukrainas. Marrëdhënia mes dy presidentëve ka qenë shpesh e tensionuar, megjithëse gjatë vitit të parë të mandatit të dytë të Trump duket se ka pasur një qetësim të klimës.
Në disa raste, Trump është treguar më i gatshëm t’i marrë si të mirëqena siguritë e Putinit krahasuar me aleatët evropianë, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane, por edhe tek ligjvënës amerikanë, përfshirë disa republikanë.
Në dhjetor, Reuters raportoi se shërbimet amerikane të inteligjencës vijojnë të paralajmërojnë se Putini nuk ka hequr dorë nga synimet për të pushtuar të gjithë Ukrainën dhe për të rimarrë territore që i përkisnin ish-perandorisë sovjetike.
Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, e kundërshtoi atë raport.
Negociatat dhe çështjet e pazgjidhura
Negociatat e fundit të ndërmjetësuara nga SHBA janë përqendruar te garancitë e sigurisë për Ukrainën pas luftës, për të siguruar që Rusia të mos sulmojë sërish pas një marrëveshjeje të mundshme.
Në parim, negociatorët amerikanë kanë shtyrë drejt idesë që Ukraina të heqë dorë nga rajoni lindor i Donbasit si pjesë e një akordi.
Zyrtarë ukrainas kanë qenë të përfshirë ngushtë në bisedime, të udhëhequra nga i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i Trump.
Disa zyrtarë evropianë kanë vënë në dyshim gatishmërinë e Putinit për të pranuar disa nga termat e dakorduar mes Kievit, Uashingtonit dhe liderëve evropianë.
Trump tha se nuk ishte në dijeni të një udhëtimi të mundshëm të Witkoff dhe Kushner drejt Moskës, i raportuar më herët nga Bloomberg.
I pyetur nëse do të takohej me Zelenskiy në Forumin Ekonomik Botëror në Davos javën e ardhshme, Trump u shpreh: “Do të takohem, nëse ai është aty. Unë do të jem atje”, tha ai.
Kur u pyet pse beson se Zelenski po heziton, Trump nuk dha detaje: “Thjesht mendoj se ai po e ka të vështirë të arrijë deri aty”, tha ai.
Zelenski ka deklaruar publikisht se nuk do të pranojë asnjë lëshim territorial ndaj Moskës, duke theksuar se kushtetuta e Ukrainës nuk i jep të drejtë qeverisë të dorëzojë territor.