
Drejtoria e Burgjeve i ka kthyer përgjigje Gjykatës së Posaçme, lidhur me kërkesën e ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqajt, për të lexuar fashikujt hetimore për dosjen e sterilizimit, përmes një kompjuteri të pa lidhur me internetin. Në përgjigje, Drejtoria e Burgjeve thotë se nuk e ka infrastrukturën e nevojshme për ta realizuar.
Në seancën e sotme, Beqaj u shpreh se SPAK ka instaluar metodën e persekutimit publik. Ndërkaq, gjyqi për ish ministrin u shty më 3 shkurt ora 10:00.
“Ftoj SPAK-un të shikojë ligjin e ri për koncesionet botuar në Fletoren Zyrtare. SPAK nuk dënjoi të bënte ekspertizën që ja kërkova që në hetimet paraprake. Provat nuk u morën kurrë, sepse SPAK se përballoi dot presionin politik, SPAK ka instaluar metodën e persekutimit publik.”, tha ai.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, sillet çdo ditë nga paraburgimi i Durrësit në një dhomë në GJKKO për të studiuar materialet hetimore të SPAK kundër tij. Por kjo mënyrë, sipas ish-ministrit nuk është një akses reale për tu njohur me aktet, të vlefshme për procesin gjyqësor të nisur ndaj tij për dosjen e “Sterilizimit”.
Sipas tij, Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale nuk u lejojnë të paraburgosurve përdorimin e kompjuterëve pa internet, edhe pse ligji dhe rregullorja në fuqi sipas tij, nuk e ndalojnë shprehimisht një gjë të tillë.
Beqaj i ka bërë thirrje më herët Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe institucioneve të drejtësisë të reagojnë, duke theksuar se pa akses në dosje, mbrojtja rrezikon të mbetet vetëm formale.
Ndër të tjera, Beqaj ka deklaruar se proceset penale po zhvillohen mbi mijëra faqe materiale elektronike që SPAK ia dorëzon avokatëve, por që vetë të pandehurit në paraburgim nuk kanë mundësi t’i lexojnë, përsakohë nuk i lejojnë as një laptop.
Një problematikë e ngjashme është ngritur më herët edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ish-presidenti Ilir Meta, të cilët kanë pretenduar se nuk janë njohur me materialet hetimore me akuzat se mungesa e aksesit në dosje cenon të drejtën për t’u mbrojtur në gjykatë.