
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka denoncuar atë që e cilëson papërgjegjshmëri të qeverisë përballë situatës së përmbytjeve, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku për propagandë dhe dështim në menaxhimin e investimeve publike.
Në një deklaratë për mediat, Vangjeli iu referua investimeve të shpallura nga qeveria për mbrojtjen e tokave bujqësore dhe rehabilitimin e argjinaturës së majtë të lumit Seman në bashkinë e Fierit, të cilat sipas saj janë prezantuar si të përfunduara dhe si sukses madhor brenda vitit 2024. Ajo kujtoi deklaratat e kryeministrit Rama, sipas të cilave ishin përmirësuar rreth 8 kilometra argjinaturë dhe ishin shpëtuar nga përmbytjet rreth 5 mijë hektarë tokë bujqësore.
Sipas Vangjelit, realiteti i ditëve të fundit tregon të kundërtën, pasi reshjet intensive dhe rritja e prurjeve të lumit Seman kanë sjellë përmbytje të konsiderueshme në disa zona, pas çarjes së argjinaturës në disa segmente. Ajo tha se uji ka vërshuar në tokat bujqësore të fshatrave përreth, ndërsa rreth 20 banesa janë përmbytur në fshatin Hasturkas të Libofshës.
Zëdhënësja e PD ngriti pikëpyetje mbi përgjegjësinë për fondet e shpenzuara dhe dëmet e shkaktuara ndaj qytetarëve dhe fermerëve, duke e cilësuar propagandë mashtruese atë që qeveria ka paraqitur si investime të suksesshme. Ajo kërkoi që institucionet e drejtësisë të mos heshtin dhe i bëri thirrje SPAK-ut të nisë hetime për këto investime dhe pasojat e tyre.