
Të paktën 32 persona humbën jetën dhe 66 të tjerë u plagosën të mërkurën në verilindje të Tajlandës, pasi një vinç ndërtimi u shemb dhe ra mbi një tren pasagjerësh, duke e nxjerrë atë nga shinat, njoftuan autoritetet lokale.
Ngjarja ndodhi në distriktin Sikhio të provincës Nakhon Ratchasima, rreth 230 kilometra në verilindje të Bangkokut. Treni po udhëtonte nga kryeqyteti drejt provincës Ubon Ratchathani kur vinçi goditi dy nga vagonët, duke shkaktuar daljen nga shinat dhe një zjarr të shkurtër.
Ministri i Transportit, Phiphat Ratchakitprakarn, bëri të ditur se në tren ndodheshin gjithsej 195 pasagjerë dhe se është urdhëruar një hetim i plotë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Sipas tij, vinçi ishte pjesë e punimeve për një projekt hekurudhor me shpejtësi të lartë dhe u shemb pikërisht në momentin kur treni po kalonte poshtë strukturës në ndërtim.
Kryeministri Anutin Charnvirakul i kërkoi Hekurudhës Shtetërore të Tajlandës që të sigurojë dëmshpërblime të përshtatshme për familjet e viktimave dhe theksoi se rasti duhet të ndiqet edhe në rrugë ligjore për të përcaktuar përgjegjësitë.
Kompania ndërtuese Italian-Thai Development Public Company Limited, e kontraktuar për ndërtimin e këtij segmenti hekurudhor, shprehu keqardhje për ngjarjen dhe deklaroi se do të kompensojë familjet e prekura. Kjo kompani kishte qenë e përfshirë edhe në një incident tjetër serioz në mars të vitit të kaluar, kur shembja e një ndërtese 30-katëshe në Bangkok, pas një tërmeti në Mianmar, kishte shkaktuar 89 viktima.
Pamjet e publikuara nga autoritetet treguan vagonë të përmbysur pranë zonave me shkurre, si dhe zjarrfikës që punonin për shuarjen e flakëve. Ekipet e emergjencës dhe të shpëtimit vijuan operacionet gjatë gjithë ditës për të nxjerrë viktimat nga vagonët e dëmtuar rëndë.
Projekti i hekurudhës me shpejtësi të lartë është pjesë e një linje transnacionale që synon të lidhë Bangkokun me qytetin Kunming në Kinë dhe po ndërtohet mbi linjën ekzistuese hekurudhore. Një pjesë e vinçit të shembur mbeti e mbështetur mbi shtyllat e betonit, ndërsa mbetje të tjera vareshin mbi shinat poshtë.
Operacionet e pastrimit dhe rimëkëmbjes vazhduan deri në orët e mbrëmjes së së mërkurës. Autoritetet thanë se synojnë të rihapin linjën hekurudhore brenda javës, për të shmangur pasoja të mëtejshme ekonomike për rajonin, shkruan Reuters.