
Danimarka ka shtuar praninë ushtarake në Grenlandë, si përgjigje ndaj kërcënimeve të vazhdueshme të presidentit amerikan Donald Trump për të marrë kontrollin e territorit arktik.
Sipas transmetuesit publik danez DR, Kopenhageni ka dërguar një njësi paraprake komanduese për të përgatitur terrenin për përforcime të tjera më të mëdha, përcjell The Telegraph.
Hapi i fundit i Danimarkës vjen pasi administrata amerikane e ka akuzuar vendin nordik, një aleat i vjetër i NATO-s, se nuk ka arritur të mbrojë siç duhet Grenlandën.
Trump, i cili e ka rritur ndjeshëm retorikën muajt e fundit, deklaroi se SHBA ka nevojë të zotërojë ishullin për arsye sigurie kombëtare.
“Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Grenlandën për qëllime të Sigurisë Kombëtare. Është jetike për ‘Kupolën e Artë’ që po ndërtojmë. NATO bëhet shumë më e fuqishme dhe efektive me Grenlandën në duart e SHBA-ve. Çdo gjë më pak se kjo është e papranueshme”, tha ai.
Ndërkohë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka paralajmëruar se çdo veprim i SHBA-ve për të marrë Grenlandën me forcë do të shkaktonte pasoja të rënda për aleancën perëndimore.
:“Nëse SHBA e merr Grenlandën me forcë, NATO do të shkatërrohej”, tha ajo.

Edhe presidenti francez Emmanuel Macron, sipas një deklarate të qeverisë franceze, ka paralajmëruar për pasoja të mëdha nëse prekja e sovranitetit të një aleati evropian bëhet realitet.
Nëse sovraniteti i një aleati evropian preket, pasojat zinxhir do të jenë të paparë”, tha ai.

Franca, për të shprehur mbështetjen për Danimarkën, do të hapë konsullatën e saj në Grenlandë më 6 shkurt.
Ministri i Jashtëm Jean-Noël Barrot u shpreh:
“Grenlanda nuk dëshiron të jetë e zotëruar, e qeverisur apo e integruar në Shtetet e Bashkuara. Ajo ka zgjedhur Danimarkën, NATO-n dhe Bashkimin Evropian”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, konfirmoi edhe njëherë zgjedhjen e qartë politike të Ishullit.
“Nëse duhet të zgjedhim mes SHBA-ve dhe Danimarkës, ne zgjedhim Danimarkën”, deklaroi Nielsen.

Trump e minimizoi deklaratën e tij, duke thënë për gazetarët:
“Nuk di asgjë për të, por kjo do të jetë një problem i madh për të”, u shpreh ai.

Përforcime nga Europa
Përplasja ka alarmuar aleatët evropianë, të cilët kanë nisur diskutime ndërshtetërore për hapat që duhen ndërmarrë nëse SHBA ndërmerr veprim ushtarak. Danimarka, e kritikuar nga SHBA për mbrojtje të pamjaftueshme të territorit arktik, ka njoftuar rritje të pranisë së saj.
Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, u shpreh:
“Ne do të vazhdojmë të forcojmë praninë tonë ushtarake në Grenlandë dhe brenda NATO-s do të ketë edhe më shumë ushtrime dhe prani të shtuar në Arktik”, tha ai.
Sipas autoriteteve daneze, aktualisht Komanda Arktike ka rreth 150 efektivë dhe mjete tokësore, detare, ajrore dhe një patrullë me slitë, por paralajmërohet se prania ushtarake do të rritet dukshëm.