Vendosni fjalën kyçe....

Rrezik nga shkarjet e dherave në Kukës, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente



Disa familje në fshatin Cernalevë, që jetojnë poshtë rrugës për në fshatin Borje, po përballen me rrezik serioz nga shkarjet masive të dherave dhe trupit të rrugës, si pasojë e prurjeve të shumta të ujit të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe dëborës.

Situata paraqitet tejet problematike, pasi një sasi e madhe dheu po i afrohet tre banesave, duke rrezikuar drejtpërdrejt pronat dhe jetën e banorëve. Familjet e prekura kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

Ndërkohë, sa i përket gjendjes së përgjithshme në qarkun e Kukësit, raportohet një përmirësim i dukshëm. Bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë po vijojnë punën për riparimin e dëmeve të shkaktuara në tre ura dhe katër akse rrugore, në njësitë administrative Zapod, Shishtavec, Topojan dhe Bushtricë.