
Targat e automjetit tip “Audi A7”, i përdorur për arratisjen e Altin Ndocit nga Spitali Rajonal i Durrësit, rezultojnë të jenë denoncuar si të vjedhura disa ditë përpara ngjarjes.
Autorët që ndihmuan në arratisjen e tij kishin organizuar çdo hap me kujdes, me qëllim që të mos ngjallnin dyshime. Për këtë arsye, targat e vjedhura i përkisnin po të njëjtit model automjeti, “Audi A7”, identik me mjetin e përdorur gjatë arratisjes.
Spitali i Durrësit tha se ekziston një protokoll i posaçëm për vizitat mjekësore të personave të shoqëruar ose të dënuar. Ky protokoll parashikon njoftimin paraprak të spitalit dhe të përgjegjësve të reparteve përkatëse, përpara se të paraburgosurit apo të dënuarit të transportohen për vizitë mjekësore.
Në rastin konkret, ky protokoll nuk është zbatuar. Drejtoria e Paraburgimit nuk ka njoftuar spitalin për ardhjen e Altin Ndocit, një situatë që, sipas burimeve, është përsëritur edhe në raste të tjera gjatë muajit të fundit. Po ashtu, nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Në situata kur kryhen njoftime të tilla, spitali merr masa shtesë sigurie, duke forcuar kontrollin në hyrjen e repartit dhe duke rrethuar perimetrin e institucionit shëndetësor.
Altin Ndoci u arratis ditën e sotme nga Spitali Rajonal i Durrësit, ku ishte shoqëruar nga Policia e Burgjeve për të kryer një vizitë mjekësore të planifikuar në repartin e Infektivit. Ai kishte shfaqur ankesa për probleme me veshkat. Vizitat për personat e burgosur kryhen në një ambient të veçantë, të ndarë nga pjesa tjetër e repartit.
Reparti i Infektivit ndodhet në një godinë të veçantë brenda territorit të spitalit rajonal të Durrësit. Godina është trekatëshe dhe vetëm dritaret e katit të tretë janë të pajisura me hekura, pasi aty ndodhet dhoma e posaçme ku kryhen vizitat për të paraburgosurit dhe të dënuarit.
Altin Ndoci është shoqëruar në dhomën e kontrollit nga dy efektivë policie. Tualeti ndodhet brenda kësaj dhome, në katin e tretë të repartit. Ndoci ka kërkuar të futet në tualet, i shoqëruar nga njëri prej policëve, i cili ka qëndruar në pritje pranë derës së tualetit, brenda dhomës së kontrollit. Polici tjetër ndodhej në një cep tjetër të dhomës.
Në momentin që ka dalë nga tualeti, Altin Ndoci ka sulmuar dhe goditur dy efektivët e policisë. Më pas, ai ka thyer derën, e cila ishte e mbyllur me çelës nga brenda. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë të vendosura jashtë spitalit, policët kanë dalë nga godina 12 sekonda pasi Ndoci ishte larguar nga dera kryesore e repartit të Infektivit.
Ndoci ka zbritur me shpejtësi shkallët, ka dalë nga dera kryesore e godinës dhe është drejtuar me vrap drejt traut të vendosur në hyrje të zonës së parkimit të brendshëm të spitalit. Distanca nga dera e Infektivit deri te trau nuk i kalon 50 metra. Menjëherë pas traut, atë e prisnin dy automjete, një prej të cilëve një “Audi A7” luksoz, në të cilin ka hipur Altin Ndoci, si dhe një mjet tjetër mbështetës.
Në pjesën e brendshme të oborrit të spitalit, jo shumë larg traut, ndodhej i parkuar edhe furgoni i Policisë së Burgjeve. Një prej efektivëve ka ndjekur Ndocin dhe ka qëlluar me armë zjarri në tokë, sapo ky i fundit ka dalë nga godina e Infektivit, me qëllim për ta trembur dhe ndalur.