Vendosni fjalën kyçe....

Berisha nga Lezha: Piramidat ishin gabimi ynë, por u ringritëm duke mbajtur lart moralin


Në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha foli nga qyteti i Lezhës, për një nga momentet më të vështira të historisë së partisë, krizën e skemave piramidale të vitit 1997, që shkaktuan revolta qytetare.

Ai theksoi se PD kishte marrë përgjegjësitë për gabimet e saj, por nuk kishte kryer veprime që cenonin moralin.

“Ne, pasi njohëm gabimin tonë, bëmë zgjidhjen më të drejtë ligjore. Nuk pranuam që me ndërgjegje të kryenim veprime amorale, të merrnim paratë e atyre që nuk kishin vendosur asnjë qindarkë në skemat piramidale dhe t’ua jepnim atyre që i kishin humbur. Ndiqëm standarde morale, pavarësisht nga çmimi që mund të paguanim”, tha ai.

Berisha shtoi se shqiptarët e vlerësuan qasjen e PD-së si një forcë politike me moral dhe përgjegjësi.

“Shqiptarët panë tek ne një forcë politike me moral. Një forcë politike që e lëshoi karrigen, doli në gjyqin publik, mori përgjegjësitë, por mbeti e ndershme në moralin e saj. Nuk mashtroi qytetarët”, tha ai.

Ai kujtoi gjithashtu premtimet e rivalëve politikë, duke nënvizuar se PD nuk i kishte ndjekur ato premtime që ai i konsideronte të pamundura:

“Unë thashë: asnjë qindarkë nuk mund të kthej, sepse një borxh që nuk është marrë, nuk mund të njihet kurrë”, tha Berisha.

Duke bërë një pasqyrë të gjatë të historisë së partisë, Berisha foli për themelimin e PD-së në kushtet e terrorit komunist, ndërtimin e institucioneve demokratike, ngritjen e ekonomisë së tregut, rikthimin e PD në pushtet pas krizës dhe rezultatet e qeverisjes 2005–2013, duke përfshirë anëtarësimin në NATO dhe përparimet ekonomike.

“Ne u ngritëm nga hiri si feniksi dhe fituam zgjedhjet parlamentare të vitit 2001. Përsëri qëndruam, mbrojtëm votën dhe u shndërruam në mbrojtësit më të sigurt të votës së shqiptarëve”, tha ai.

Duke iu referuar zgjedhjeve të vitit 2013 dhe rotacionit të pushtetit, ai nënvizoi:

“Ne pranuam rotacionin, dolëm në opozitë, duke treguar një besnikëri të palëkundur ndaj demokracisë dhe vlerave të saj”, tha Berisha.