Vendosni fjalën kyçe....

Vërshimi i Semanit shkakton përmbytje në Libofshë, rreth 20 banesa nën ujë



Lumi Seman ka vërshuar gjatë natës, duke shkaktuar përmbytje të shumta në zonën e Libofshës. Si pasojë, rreth 20 banesa në fshatin Hasturkas janë përfshirë nga uji, ndërsa çarja e argjinaturës mbrëmjen e djeshme ka bërë që prurjet të dalin drejt tokave bujqësore dhe zonave të banuara.

Sipas raportimeve nga terreni, prurjet e shtuara të lumit, si dhe dëmtimi i argjinaturës në disa segmente, kanë sjellë përmbytjen e sipërfaqeve të konsiderueshme bujqësore në disa fshatra të zonës. Gjatë mesnatës, uji ka depërtuar edhe në disa banesa në fshatin Havaleas, duke detyruar banorët të largohen dhe të dalin në rrugë për t’i shpëtuar përmbytjeve.

Në zonë kanë mbërritur ekipet e emergjencave civile, të cilat po monitorojnë situatën dhe po ofrojnë ndihmë për banorët e prekur. Autoritetet po ndjekin nga afër zhvillimet, ndërsa situata mbetet problematike për shkak të prurjeve të larta të lumit.