
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për çështjen e shkarkimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke i dhënë të drejtë këtij të fundit dhe duke rrëzuar vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave dhe të Presidentit të Republikës.
Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se është i vetmi autoritet me kompetencë për të kontrolluar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e vendimeve të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organeve të zgjedhura drejtpërdrejt. Sipas saj, vlerësimi i bazueshmërisë në Kushtetutë dhe ligj i këtyre vendimeve i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese, si institucioni që jep fjalën e fundit.
Gjykata nënvizon se parashikimet e Ligjit për Qeverisjen Vendore nuk mund të interpretohen apo të zbatohen në mënyrë të tillë që të anashkalojnë ose të cenojnë mbrojtjen kushtetuese të organeve të qeverisjes vendore.
Ligji, thekson vendimi, nuk mund të ketë epërsi ndaj Kushtetutës dhe për rrjedhojë nuk mund të ekzistojnë dy lloje shkarkimesh të kryetarëve të bashkive, një “ligjor” dhe një “kushtetues”. Si rrjedhim, kompetenca e Gjykatës për të shqyrtuar ankimet ndaj shkarkimit nga detyra të kryetarëve të bashkive ushtrohet në çdo rast, pavarësisht nga shkaku i referuar në vendimin e shkarkimit.
Vendimi u mor në seancën plenare publike të datës 31 tetor 2025, e kryesuar nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të saj. Në këtë proces, kërkesa u paraqit nga Erion Veliaj, i përfaqësuar nga avokatët Alban Dokushi dhe Ermal Yzeiraj, ndërsa si subjekte të interesuara ishin Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Ministrave.
*Vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese mund ta lexoni këtu: KUSHTETUESJA PER VELIAJN