
Ngricat dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë qarkun e Dibrës, duke sjellë probleme në disa zona, veçanërisht në fshatrat e thella. Gjatë natës, temperaturat kanë zbritur deri në –10 gradë Celsius.
Si pasojë e motit të acartë, janë shfaqur vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm në disa fshatra të thella. Të bllokuara nga bora vijojnë të mbeten fshatra në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Muhurr dhe Selishtë, si dhe disa zona në Trebisht dhe Ostren, ku trashësia e borës kalon 40 centimetra.
Prezencë e madhe e borës dhe akullit raportohet edhe në rrugët rurale. Bashkitë Dibër dhe Bulqizë kanë angazhuar mjetet dhe strukturat përkatëse dhe po punojnë në terren për hapjen e akseve rrugore. Ndërkohë, ura e Çerenecit në aksin Çerenec–Librazhd mbetet e pakalueshme për qarkullimin e automjeteve.
Sa i përket akseve kryesore rrugore, në segmentin Peshkopi–Tiranë qarkullimi kryhet pa zinxhirë, ndërsa në aksin Peshkopi–Kukës lëvizja lejohet vetëm me zinxhirë.
Probleme nga bora dhe ngricat raportohen edhe në zonën e Martaneshit, ku kushtet e motit vijojnë të vështirësojnë lëvizjen.