Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Gati plani për dëmshpërblimin e familjeve të prekura nga përmbytjet



Kryeministri Edi Rama ka prezantuar episodin e radhës të podcastit “Flasim”, ku deklaroi se plani për shpërndarjen e dëmshpërblimeve për familjet e prekura nga përmbytjet është tashmë i përgatitur dhe se qeveria do të jetë pranë çdo qytetari të goditur nga fatkeqësitë natyrore.

Kreu i qeverisë theksoi se angazhimi i institucioneve nuk përfundon me përmirësimin e kushteve të motit, por do të vijojë me riparimin e dëmeve në infrastrukturë dhe kompensimin e plotë të familjeve të dëmtuara. Ai bëri të ditur se ekipet e verifikimit ndodhen në terren që nga dita e parë, ndërsa Ministria e Financave ka përgatitur tashmë planin me të gjithë skenarët e dëmshpërblimit.

Rama u shpreh se pas përfundimit të verifikimeve do të kalohet në fazën e shpërndarjes së dëmshpërblimeve, duke garantuar përmbushjen e çdo detyrimi ndaj familjeve të prekura, si për banesat ashtu edhe për dëmet në gjënë e gjallë.

Duke iu referuar së kaluarës, kryeministri kujtoi borxhet e trashëguara nga përmbytjet në zonën e Shkodrës, të cilat, sipas tij, u shlyen plotësisht nga qeveria aktuale. “Ne erdhëm për të ndërtuar një Shqipëri tjetër, një Shqipëri që nuk i lë vetëm njerëzit e saj. Kurrë më!”, deklaroi Rama.