
Qindra protestues u mblodhën të shtunën në disa qytete të mëdha evropiane për të shprehur solidaritetin me protestat që po zhvillohen prej dy javësh në Iran, mes një bllokade të komunikimeve. Demonstratat në Republikën Islamike shpërthyen për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe rritjes së ndjeshme të çmimeve të ushqimeve, përcjell Euronews.
Në Hagë, qytetarë u mblodhën në sheshin Malieveld për të protestuar kundër qeverisë teokratike iraniane, pas raportimeve se forcat e sigurisë kanë përdorur forcë vdekjeprurëse ndaj demonstruesve që nga fundi i dhjetorit. Protestuesit shprehën shqetësim për situatën në vend dhe për familjarët e miqtë e tyre, me të cilët është e vështirë të komunikojnë për shkak të ndërprerjeve të rrjeteve.
Demonstrata u zhvilluan edhe në Berlin, ku pjesëmarrësit – kryesisht iranianë që jetojnë jashtë vendit apo persona me origjinë iraniane – thanë se ndihen të detyruar të protestojnë për të mbështetur bashkatdhetarët e tyre. “Mund të jemi larg, por zemrat tona janë me Iranin,” tha një prej protestueseve.
Të tjerë theksuan mungesën e lirive, inflacionin e lartë dhe pasigurinë për fatin e familjarëve të tyre në Iran. Sipas tyre, protestat aktuale përbëjnë një nga sfidat më të mëdha për autoritetet iraniane që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Protestuesit në Berlin shprehën shpresën se aktivizmi i tyre do të nxisë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të mbështesin iranianët në përpjekjet e tyre për ndryshim politik.
Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, reagoi publikisht duke paralajmëruar qeverinë iraniane të ndalë përdorimin e forcës vdekjeprurëse ndaj protestuesve. Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump u shpreh se “Irani po sheh drejt lirisë, ndoshta si kurrë më parë”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë.