
Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) njoftoi se gjatë ditës së sotme priten vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si dhe rrëshqitje dherash në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Në zonat urbane të këtyre qarqeve mund të shfaqen përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së rrjeteve të kanalizimeve.
Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, reshjet me intensitet të lartë të rëna ditën e djeshme do të sjellin sot rritje të prurjeve dhe niveleve në të gjithë lumenjtë e vendit.
Rrezik më të shtuar për përmbytje lokale paraqesin lumenjtë Ishëm, Erzen, Mat dhe Vjosa. Ndërkohë, në sistemin Drin–Buna dhe në liqenin e Shkodrës pritet rritje e prurjeve dhe niveleve, me mundësi zgjerimi të sipërfaqeve të përmbytura në zonën e Nënshkodrës.
IGJEO bën me dije se priten gjithashtu reshje dëbore në zonat veriore, lindore dhe juglindore të vendit. Dëbora do të shoqërohet me ulje të ndjeshme të temperaturave, ndërsa ngricat mund të shkaktojnë probleme dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Sa i përket motit për sot, priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër dhe Elbasan, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë mesatare dhe të shoqëruara me shtrëngata. Në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit në veri, lindje dhe juglindje, reshjet do të jenë në formë dëbore.
Temperaturat minimale dhe maksimale pritet të variojnë nga 9–10°C në zonat bregdetare, 8–9°C në zonat e ulëta dhe nga -2 deri në 0°C në zonat malore. Era do të fryjë mesatare deri e fortë, veçanërisht në bregdet dhe në zonat malore.