
Qarku i Elbasanit është përfshirë nga mot i paqëndrueshëm, me reshje shiu dhe breshëri, ndërsa në zonat malore mbi 700 metra kanë nisur reshjet e dëborës.
Të gjitha akset nacionale janë të hapura për qarkullim. Në aksin Elbasan–Qafë Thanë, në zonën e Qafë Thanës, policia rrugore po menaxhon trafikun për shkak të dëborës, pa probleme të theksuara në qarkullim.
Në aksin rrugor Gramsh–Moglicë është konstatuar prezencë gurësh në disa segmente, si pasojë e reshjeve, por situata është normalizuar pas ndërhyrjes së menjëhershme të firmës kontraktuese, e cila ka kryer pastrimin e rrugës.
Sa i përket situatës hidrike, prurjet e lumit Shkumbin dhe përroit të Zaranikës nuk paraqesin problematika deri në këto momente. Ndërkohë, nga HEC Moglicë vijojnë shkarkimet në nivelin 390 m³/sekondë, paralelisht me prodhimin e energjisë elektrike.
Furnizimi me energji elektrike në qark paraqitet përgjithësisht i qëndrueshëm dhe pa probleme serioze. Megjithatë, ndërprerje të energjisë janë raportuar në Njësitë Administrative Klos dhe Mollas, si pasojë e rënies së disa shtyllave elektrike të dëmtuara nga prurjet e lumit Devoll.
Strukturat përkatëse janë në ndjekje të situatës për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit normal.